Tendini i akilit është një nga tendinet më të fuqishëm të trupit tonë dhe shërben për të realizuar ngritjen në majë të gishtave apo për të realizuar shtytjen gjatë ecjes. Sportet më të shpeshta që shoqërohen me këtë dëmtim janë futbolli, basketbolli, volejbolli dhe atletika. Patologjia prek më shpesh meshkujt e moshave 25-50 vjeç.
Mund të dallohen dëmtime akute dhe degjenerative pra konsiderohen:
– Ruptura nga trauma direkte (plagë prerëse, shpime…)
– Ruptura nga trauma indirekte (sporte si atletik, ski …)
– Ruptura spontane (patologji degjenerative apo trauma të përsëritura).
Simptomat: Ndërsa në traumën akute pacienti referon një event traumatik të ngjashëm me një goditje nga pas të shoqëruar me dhimbje, në rupturat kronike, mund të kemi një histori dhimbjesh të lehta herë pas here të tendinit të shoqëruara me trauma jo serioze me simptomatologji më të mëtë lehtë sesa ruptura akute. Pacienti shpesh referon një shqetësim konstant që zgjat prej kohësh.

Pasi ndodh ruptura në vendin e dëmtimit vihet re një mungesë e vazhdueshmërisë së tendinit. Pacienti nuk realizon lëvizjet aktive artikulare dhe ato pasive janë të dhimbshme. Ecja mund të realizohet me vështirësi.
Diagnoza: Si rregull nuk është e vështirë, në fakt në prekje direkt mbi zonën e tendinit konstatohet një “gap” apo mungesë e vazhdueshmërisë së tij. Disa teste diagnostike specifike mund të realizohen nga ortopedi. Nganjëherë edema, ekimozat dhe dhimbja e vështirësojnë diagnozën dhe mund të nevojiten egzaminime shtesë si rezonanca magnetike apo ekografia.
Terapia: Trajtimi konservativ që konsiston në një periudhë të gjatë imobilizimi me gips mund të përfundojë me këputje përsëri të tendinit, zgjatje të tij, ulje të forcës shtytëse dhe impotencë funksionale. Për këto arsye shpesh këshillohet ndërhyrja kirurgjikale sa më të shpejt. Ndërhyrja quhet “tenorafi” dhe mund të realizohet me teknika të ndryshme.
Rehabilitimi postoperator: Faza e parë përfshin imobilizim në çizme gipsi për 4 javë dhe pasohet nga një periudhë rehabilitimi disa javore. Kthimi në aktivitete sportive nuk lejohet para ditës së 60-të pas operacionit.