Është dhimbja muskuloskeletike më e zakonshme. Shfaqet në pjesën më të madhe të rasteve tek të rriturit, por mund të vihet re edhe tek fëmijët dhe adoleshentët. Baza anatomike e dhimbjeve të mesit mbetet objekt studimesh të mëtejshme. Debatohet ndërmjet origjinës vertebrale (e bashkëlindur apo e fituar) dhe jashtëvertebrale (muskulare, meningeale, viscerale). Megjithatë, ndër format më të shpeshta të dhimbjeve të mesit mbeten ato me origjinë diskale dhe ato me origjinë nga artroza vertebrale. E rëndësishme është të vlerësohet nëse është irrituar nervi shiatik; në një rast të tillë bëhet fjalë për lumboshiatalgji (lumboiskialgji).
Simptomat: ngurtësim artikular, sidomos në mëngjes e në mbrëmje në zonën e mesit, vështirësi në përkuljet përpara të shtyllës kurrizore (p.sh. në veshjen e çorapeve), dhimbje dhe ndjenjë tensioni gjatë qëndrimit ulur, nganjëherë hipoestezi (ulje e ndjeshmërisë) në muskujt glutealë (muskujt e të ndenjurave), deficite të motorikës (lëvizshmërisë). Simptomat mund të shfaqen në mënyrë të menjëhershme, pas një episodi traumatik apo një sforcimi fizik (ngritja e peshave apo një aktivitet sportiv), por mund të shfaqen edhe në mënyrë graduale, për disa ditë, pa një shkak të përcaktuar.
Diagnoza: bazohet mbi ekzaminimin klinik nga mjeku specialist, i cili vlerëson nëse duhet kryer një studim radiologjik në projeksionet standard dhe në projeksion oblik (për të përjashtuar ndonjë spondilolistezë), një rezonancë magnetike apo një skaner, me ose pa lëndë kontraste, për të vlerësuar praninë eventuale të një patologjie që shkakton shtypje të nervit, si hernia diskale. Në raste të veçanta mund të kryhet edhe një elektromiografi për vlerësimin e përçueshmërisë nervore të nervave periferikë.
Terapia: përfshin pushimin, për të lehtësuar nga ngarkesa shtyllën kurrizore, stabilizuesit e kolonës për mbështetje, përdorimin e barnave anti-infiamatorë (anti-infiamatorët josteroidë), për të kaluar më pas në përdorimin e barnave kortizonikë (në një rast të tillë duhen vlerësuar mirë kundërindikacionet e mundshme të përdorimit të kortizonikëve, si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, kardiopatitë e ndryshme, glaukoma etj.). Mjekimi me barna mund të shoqërohet edhe me fizioterapi, si Tecar, masazhe, laser etj. Rezultate shumë të mira janë përftuar nga trajtimet osteopatike (të kryera nga persona të kualifikuar) dhe/ose me gjimnastikë posturale individuale (pacient dhe terapist). Duhet pasur parasysh që, sa herë fillohet një mjekim farmakologjik, duhen marrë masa për fillimin njëkohësisht edhe të mjekimit për mbrojtjen e stomakut.
