Osteoporoza është një sëmundje sistemike e skeletit me eciologji të shumëllojshme, e karakterizuar nga një reduktim i indit kockor dhe me shkatërrim gradual të mikro-arkitekturës së kockave.
Në Itali osteoporoza prek 3.5 milionë femra dhe 1 milion meshkuj, dhe raporti midis meshkujve dhe femrave kalon nga 1/3 para moshës 50 vjeç në 1/10 pas kësaj moshe.
Është përllogaritur që 40% e pacientëve të sëmurë nga kjo patologji do të pësojë fraktura (thyerje) te kockave dhe kjo bën që osteoporoza të jetë shkaku kryesor i frakturave tek femrat mbi moshën 50 vjeç.
Rrjedhojat e kësaj sëmundje kanë një peshë të madhe qoftë nga ana ekonomike (shtrim në spital, operacione, invaliditet, etj) por edhe përsa i përket gjëndjes së përgjithshme shëndetësore të pacientit (një frakturë e femurit në një person në moshë të thyer rrit rrezikun e vdekjes rreth shtatë herë).
Frakturat vertebrale qoftë simptomatike apo jo, janë të shoqëruara me një rritje të sëmundshmërisë 3 herë dhe me rritje deri në 4-5 herë të vdekshmërisë. Po ashtu një frakturë vertebrale shton rrezikun e frakturave të vertebrave të tjera rreth 5 herë dhe 20% e femrave që kanë pësuar nje frakturë vertebrale do të pësojnë një tjetër frakturë brënda 12 muajve të mëtejshëm.
Eciologjia: Osteoporoza, në bazë të shkaqeve ndahet në
Primitive:
– Idiopatike e moshës së re
– Involutive: pas menopauzës (tipi I) ose senile (tipi II)
Dytësore:
– Endokrinopatitë (Sindroma e Cushing, hipertiroidizëm, hipogonadizëm)
– Sëmundje gastrointestinale (sindroma e malabsorbimit, pacientë të gastrorezekuar)
– Barna (tiroxina, glukokortikoidë, ciclosporina)
– Sëmundjet e indit konektiv (osteogjenezë imperfekte)
– Sëmundje e palcës së kockave (mieloza, mastocitoza sistemike)
Nga të gjitha këto shkaqe më e shpeshta dhe më e njohura është osteoporoza pas-menopauzës e cila shkaktohet nga mungesa e hormoneve estrogjenë dhe shoqërohet nga shtimi i turnover kockor në favor të ri-absorbimentit. Ky fenomen është eksponencial në 3-5 vitet e para dhe stabilizohet rreth 10 vjet pas menopauzës.
Shkaqe të tjera të rëndësishme janë: ushqimi (gjatë fazës së rritjes formohet “bagazhi” i kaciumit që duhet edhe të mbahet më vonë me kalimin e kohës), gjenetika (familjariteti), gjëndja klinike dhe fizike e përgjithshme dhe disa faktorë rreziku:
♦ mosha > 65 vjeç
♦ familjariteti
♦ pirja e duhanit
♦ mungesa e vitaminës D3
♦ mungesë e marrjes së kalciumit
♦ amenorrea pre-menopauzale > 6 muaj
Shënja dhe simptoma: Osteoporoza është asimptomatike deri në momentin kur thyhet kocka. Simptomat e para mund të jenë jo-specifike si dhimbje e kockave, të cilave me kalimin e kohës i shtohet edhe kifoza dhe reduktimi i gjatësisë trupore. është e rëndësishme të theksohet se, mbi të gjitha tek moshat e thyera shenja e parë e patologjisë mund të jenë frakturat dhe më frekuente janë thyerjet e vertebrave, të kyçit të dorës dhe qafës së femurit. Këto fraktura mund të shkaktohen edhe për trauma të vogla. Ndërsa frakturat e kyçit të dorës dhe të qafës së femurit janë evidente kur ndodhin, ato të vertebrave mund të paraqiten qoftë me një kuadër klinik me simptoma të lehta e qoftë me një gjendje më dramatike, me dhimbje të forta dhe dëme të sistemit nervoz.
Diagnoza: Në rastin e osteoporozës më tepër se në çdo sëmundje tjetër është e rëndësishme parandalimi dhe një diagnozë e saktë e pacientit. Mjeti më i përdorur në diagnostikimin është padyshim vlerësimi i densitetit mineral kockor dhe një studim klinik i pacientit.
Është e rëndësishme, në fakt në pacientin e ri apo të moshuar me vlera të densitetit mineral kockor të alternuara, të merret në konsideratë prania e osteoporozës dytësore. Kjo diagnozë është e mundur të bëhet duke kryer edhe një egzaminim klinik dhe analizat e laboratorit si: kalcemia, fosfatemia, kalciuria dhe fostaturia, VES, hemokrom komplet, protidemia dhe elektroforeza, fosfataza alkaline totale, fosfataza acide, kreatinemia, parathormoni në gjak, idroksiprolinuria. Egzaminimi radiografik është i rëndësishëm në vlerësimin e dëmtimeve vertebrale dhe frakturave të tjera.
Terapia: është shumë i rëndësishëm parandalimi i kësaj sëmundje.
Barnat e përdorura në terapinë e osteoporozës janë tre llojesh:
– Inibitorët e riabsorbimentit të kockës:
♦ Bifosfonatë
♦ Calcitonina
– Estrogjenë dhe modulatorë receptorial
– Stimulues të formimit të kockës:
♦ kripëra të fluorit
♦ parathormon
Këto barna duhen shoqëruar edhe me kalcium dhe vitamina D3 sipas moshës dhe nevojës së pacientit, duke patur parasysh që në moshat e thyera kapaciteti për të prodhuar dhe absorbuar këto elementë është shumë e ulët.