Problematika e frakturave vertebrale lidhet me tre koncepte bazë: deformimi, paqëndrueshmëriadhe dëmtimi neurologjik. Ky i fundit mund të jetë dëmtim i palcës ose i rrënjëve nervore. Deformimi është pasojë e drejtpërdrejtë e traumës; mund të shfaqet një kuneizim i plotë ose i pjesshëm i trupit të vertebrës, një shtypje e plotë e trupit vertebror ose e trupit bashkë me diskun, apo një shkëputje e lehtë e një pjese kockore të vertebrës. Paqëndrueshmëria vertebrale mund të përkufizohet si humbje e aftësisë së shtyllës kurrizore për të ruajtur raportet normale ndërmjet vertebrave. Ky faktor shkakton prishje të raporteve artikulare, me pasojë dëmtime të ndryshme kapsulo-legamentoze. Dëmtimi neurologjik nënkupton dëmtimin e një strukture nervore (palcës kurrizore). Palca dëmtohet gjatë frakturave më të rënda dhe invaliduese, gjatë të cilave ndodh një zmadhim i diametrit antero-posterior të trupit të vertebrës, me pasojë ngushtimin e kanalit medular dhe shtypjen e palcës.
Gjatë këtyre frakturave shpesh ndodh të mos ketë përputhje ndërmjet rëndesës së simptomave neurologjike dhe shkallës së dëmtimit skeletik. Dëmtimi i palcës mund të ndodhë edhe nga prania e fragmenteve kockore ose diskale në kanalin vertebral apo nga deformimi i shtyllës kurrizore, si pasojë e frakturave apo luksacioneve. Është e kuptueshme që sa më i lartë të jetë niveli i frakturës apo luksacionit (p.sh. në pjesën cervikale të kolonës), aq më e rëndë do të jetë simptomatologjia dhe aq më e keqe prognoza e dëmtimit. Tek gratë në moshë të shkuar dhe me sëmundje osteoporotike nganjëherë mund të shfaqet e ashtuquajtura “shëmbje vertebrale apo fraktura kompresive”, gjatë së cilës vertebrat fillojnë të humbasin lartësinë e tyre normale.
Simptomat: dhimbjet ndryshojnë në varësi të rëndesës së dëmtimit. Gjatë frakturave kompresive dhe frakturave të trupit të vertebrës, pa prekje të palcës kurrizore, shfaqet një simptomatologji e dhimbshme, e cila ndryshon në varësi të segmentit nervor të interesuar. Kjo dhimbje lehtësohet gjatë qëndrimit shtrirë në shtrat. Në raste të rralla mund të shfaqen fenomene radikulare periferike apo humbje e forcës muskulare. Gjatë frakturave që interesojnë palcën kurrizore simptomatologjia është shpesh dramatike, me mungesë të theksuar të forcës motore muskulare, pamundësi për lëvizje të anësive, humbje të kontrollit të organeve të ndryshme deri në paralizë (paraplegji apo tetraplegji).
Diagnoza: dëmtimi vertebral duhet diagnostikuar sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë ekzaminimit klinik specialisti duhet të vlerësojë dhimbjen, territorin e përhapjes së simptomave të dhimbshme, defiçitet e mundshme periferike dhe reflekset. Eshtë e rëndësishme të kryhet një ekzaminim radiologjik në tre projeksione, një skaner dhe një rezonancë manjetike. Frakturat që interesojnë edhe palcën kurrizore diagnostikohen në repartet e urgjencave dhe trajtohen në reparte të specializuara.

Trajtimi: Në rastet e frakturave pa prekje të palcës shpesh mjafton një pushim në shtrat për dy javë dhe një korse e thjeshtë (për frakturat lumbare) ose me tre pika (për frakturat dorso-lumbare) për rreth dy muaj. Në disa raste të frakturave cervikale këshillohet qëndrim në shtrat pa jastëk dhe qafore stabilizuese. Më vonë vazhdohet me fizioterapi (masazhe, Tecar, riedukim motor) dhe gjimnastikë në ujë. Gjatë frakturave me prekje të palcës kurrizore, siç e thamë edhe më lart, pacienti duhet trajtuar në mjedise shumë të specializuara, shpesh për periudha të gjata kohe.
Në rastet e frakturave me dëmtim të rëndë të kufijve të trupave vertebrorë, në tumoret që kanë prekur vertebrat dhe në frakturat kompresive, nganjëherë mund të indikohet vertebroplastika, që është injektim i një cementi special në brendësi të trupit të vertebrës, për ti dhënë qëndrueshmëri dhe fortësi vertebrës së interesuar.