Frakturat e dorës janë dëmtime mjaft të shpeshta dhe mund të prekin metakarpet, kockat karpale dhe falangat. Në rastin e frakturave të metakarpeve dhe falangave pa spostim ose me spostime të parëndësishme përdoret imobilizimi me gips apo tutorë të posaçëm. Në frakturat e hapura apo të zhvendosura ka indikacion reponimi kirurgjikal dhe përdorimi i shtizave, pllakave, vidave apo fiksatorëve eksterne për fiksimin e fragmenteve kockore.
Një trajtim i ndryshëm aplikohet në rastin e frakturave të kockës skafiode, njëra nga 8 kockat karpale, furnizimi me gjak i së cilës e bën kohën e konsolidimit normal të një frakture të jetë më i gjatë se zakonisht. Në fakt nëse në frakturat e metakarpeve apo falangave mjaftojnë tre javë imobilizim, për frakturat pa zhvendosje të kockës skafiode duhen 35-45 ditë duke përfshirë dhe gishtin e madh në gips.
Në frakturat e spostuara shumë apo në rast mosngjitjeje, këshillohet ndërhyrja kirurgjikale gjatë së cilës fragmentet kockore mbërthehen me vida të posaçme. Ndonjëherë kërkohet edhe heqja e kockës me nekrozë dhe transplant kockor me kockë autologe të marrë mga kresta iliake ose zëvendësimi i saj me një protezë të vogël prej fibre karboni e cila luan rolin e kockës dhe të artikulimit të kyçit të pulsit.
Incidenca e vonesave në konsolidim apo nekrozave avaskulare, që për frakturat skafoide është në shifrën rreth 5-10 %, në rastin e frakturave të polusit të sipërm arrin vlerën 80% të numrit të përgjithshëm të frakturave të kësaj kocke. Shumë i rëndësishëm është procesi i rehabilitimit postoperator apo pas heqjes sw gipsit në të gjitha llojet e frakturave të dorës.