KËMBA DYSTABAN – TË RRITURIT

Përfshin disa forma klinike që kanë të përbashkët rrafshimin e shputës së këmbës:
– Format kongenitale, evolucioni i laksitetit infantil të këmbës.
– Forma të fituara gjatë jetës
♦ nga disfunksion i muskulit tibiali posterior
♦ post-traumatike
♦ reumatike
♦ neurologjike

Rrafshimi i tabanit ka si konseguencë direkte shpërndarjen anormale të forcave të ngarkesës mbi kockat dhe tendinet me mbi-ngarkesë të të gjithë pjesës së brëndshme të këmbës e cila ka si funksion amortizimin e saj (e ashtuquajtura “këmba astragalike”). Me kalimin e kohës kjo situatë çon në degjenerimin e strukturave dhe në veçanti të tendinit të muskulit tibial posterior i cili ka si funksion mbajtjen e artikulacionit astragalo-skafoid.

Ky degjenerim do të jetë gjithmonë e më i theksuar dhe do të çojë deri në këputjen e tendinit dhe në artrozën e kockave mediale të këmbës duke shkaktuar dhimbje në këtë pjesë të saj. Në format e fituara gjatë jetës këmba dystaban, e cila në fillim ka qënë normale, deformohet për një sërë arsyesh. Shkaku kryesor është humbja e funksionimit të tendinit të muskulit tibial posterior fibrat e të cilit, për shkaqe degjenerative me bazë mekanike ose vaskulare, shkëputen dhe tendini zgjatet deri në këputje duke e humbur kështu aksionin e tij tërheqës dhe mbajtës të kockave të këmbës.
Shfaqet atëherë gunga karakteristike në pjesën e brëndshme të këmbës e shkaktuar nga spostimi medial i kokës së astragalit dhe scafoidi, me dhimbje të shkaktuar nga lodhja dhe tendosja e legamenteve dhe të kapsulës artikulare. Kjo sindromë shfaqet më tepër tek gratë rreth moshës 50-60 vjeç dhe vjen në mënyrë progresive.

Këmba dystaban e fituar klasifikohet në tre gradë:
Grada I: infiamacion i tendinit të muskulit tibial posterior me ënjtje dhe dhimbje në zonën e brëndshme të këmbës poshtë maleolit tibial.
Grada II: rrafshim i dukshëm dhe evident i këmbës me deformim akoma të reduktueshëm.
Grada III: deformim tashmë i strukturuar dhe rigid me humbje të raporteve artikulare, humbje e rëndë e funksionit, dhimbje të forta dhe vështirësi në ecje.
Egzaminimi radiografik na bën të mundur të vlerësojmë shkallën e deformimit dhe të degjenerimit artrozik të këmbës, thelbësor për të vendosur mbi llojin e trajtimit.

Këmba dystaban nuk duhet konsideruar asnjëherë si një problem i lokalizuar por duhet studiuar si pjesë e një sindrome posturale më komplekse.

Hiper-pronacioni i këmbës dystaban shkakton rrotullimin e brëndshëm të anësive të poshtme me tendencë valgizmin e gjunjëve, i ndjekur nga përkulja përpara e legenit e cila shkakton dhe rritjen e lordozës lumbare.

Terapia: Fillimisht trajtimi është konservativ dhe konsiston në përdorimin e plantarëve të posaçëm të cilët pengojnë rrafshimin e tabanit të këmbës duke i dhënë këtij të fundit formën dhe morfologjinë normale. Në këtë mënyrë këmba lirohet nga tensionet e mëdha që krijohen mbi tendinet dhe artikulacionet mediale, duke ndalur evolucionin drejt artrozës së kockave dhe degjenerimin e muskujve dhe legamenteve. Ky normalizim përmirëson edhe posturën e segmenteve të tjera kinetike të trupit duke reduktuar apo eleminuar kontrakturat muskulare dhe dhimbjet artikulare sidomos në nivel lumbar.
Plantari ideal nuk ka qëllim korrektiv por vetëm një funskion pasiv. Duhet të ngrejë gradualisht dhe pa shtytje të egzagjeruar tabanin e sheshtë. Përdorimi i plantarëve me materiale të buta shmang traumatizimin e indeve dhe muskulaturës e cila në rastet e plantarëve të gabuar kontraktohet dhe jep dhimbje.
Trajtimi konservativ mund të integrohet edhe me përdorimin e barnave që mbrojnë kërcin (glukozamina dhe kondroitina) dhe pengojnë degjenerimin artrozik të këmbës. Po ashtu është e rëndësishme edhe fizioterapia sidomos në prezencë të infiamacionit të tendineve dhe indeve të buta.

Trajtimi kirurgjikal: Varet nga shkalla e deformimit dhe simptomat. Në këmbën dystaban me hiper-pronacion në të cilën nuk kemi akoma një degjenerim artrozik është e këshilluar një ndërhyrje kirurgjikale shumë e thjeshtë e quajtur “artroriza subastragalike”. Kjo konsiston në futjen dhe fiksimin e një vide me formë të veçantë në brëndësi të sinusit tarsal, me qëllim bllokimin e pronacionit të artikulacionit sub-astragalik, i cili është përgjegjës për deformimin e profilit të brëndshëm të këmbës dhe rrafshimin e tabanit. Ky operacion kryhet me anë të një vrime shumë të vogël poshtë maleolit lateral me teknikën perkutane dhe nën guidën e skopisë (C-arm).
Kjo metodë është mini-invazive dhe bën të mundur korrigjimin e menjëhershëm dhe spektakolar të deformimit pa qënë nevoja e imobilizimit të këmbës pas operacionit dhe me një periudhë rekuperimi shumë të shkurtër (rreth 20 ditë).
Sapo pacienti arrin të mbështesë këmbën në tokë me ngarkesë të plotë është e mundur të vërehet drejtimi i pjesës së pasme të këmbës dhe i aksit të ekuilibrit, zhdukja e gundës karakteristike në maleolin medial si dhe shfaqja e harkut në pjesën e brëndshme të këmbës.

Në ato raste kur është prezent një valgizëm i rëndë i pjesës së pasme të këmbës, pa atrozë sinjifikative të artikulacionit, është i këshilluar një operacion i cili konsiston në osteotominë (prerje dhe ri-pozicionim i kockës) duke spostuar nga brënda kalkaneusin.

Në rastet më të rënda me degjenerim të artikulacionit sub-astragalik dhe astragalo-skafoid, me dhimbje dhe çalim, është e këshilluar një ndërhyrje kirurgjikale me artrodezë sub-astragalike d.m.th. gjitjen dhe bllokimin e artrikulacionit artrozik në mënyrë të tillë që të evitohet  fërkimi i sipërfaqeve artikulare të degjeneruara.

 

Ky operacion bën të mundur rikostruksionin e formës së këmbës dhe eliminimin e dhimbjes pa kompromentuar lëvizjen dhe funksionin, por që parashikon një periudhë imobilizimi dhe rekuperimi pas operacionit prej rreth 2 muajsh.
Neuroma e Morton

ARTIKUJ TE NGJASHEM: