KËMBA DYSTABAN TEK FËMIJËT

Këmba dystaban, në ndryshim nga një këmbë normale e cila paraqitet me harkun fiziologjik, është e karakterizuar nga tabani i sheshtë. Kur fëmija fillon të ecë, indi konektiv i cili nuk është akoma maturuar dhe zhvillimi jo i plotë i i muskujve, lejojnë një kënd të madh të lëvizshmërisë amortizuese të këmbës e cila shoqërohet me rrafshimin e tabanit hap pas hapi.
Ky fenomen fillestar është një element i rëndësishëm për nje diagnozë preventive në kohë. Për shkaqe akoma jo plotësisht të njohura tabani i këmbës nuk zhvillohet duke marrë formën dhe dimensionin e tij fiziologjik por mbetet me formë të sheshtë duke u shfaqur kështu kuadri i këmbës dystaban. Ky deformim e ka bazën në pjesën e pasme të këmbës e cila është e formuar nga artikulacioni i dy kockave, kalkaneusi dhe astragali.
Imaturiteti dhe laksiteti i legamenteve bëjnë që astragali e cila është kocka që rakordon të gjithë këmbën dhe që normalisht ndodhet sipër kalkaneusit, të rrëshkasë

poshtë – përpara dhe medialisht duke tërhequr pas vetes të gjitha kockat që janë të lidhura me të duke e detyruar kështu edhe kalkaneusin të kryeje një rrotullim të brëndshëm i quajtur “pronacion”.
Konseguenca klinike është forma e thëmbrës e devijuar nga brënda me aksin e ekulibrit të këmbës të spostuar medialisht nga zona e mbështetjes së këmbës. Pronacioni i pjesës së pasme të këmbës ka pasoja edhe në pjesën e përparme të saj. Në fakt, rrëshkitja e astragalit shtyp kokën e metatarsit të parë duke provokuar një deformim në ekstrarotacion të të gjithë pjesës së përparme të këmbës i cili merr emrin “supinacion”. Rrotullimi i brëndshëm (pronacioni) i pjesës së mbrapme të këmbës dhe rrotullimi i jashtëm (supinacioni) i pjesës së përparme të këmbës provokojnë një lëvizje helikoidale me zhdukjen e harkut anatomik të tabanit të këmbës.

Egzaminimi klinik
Egzaminimi klinik i këmbës synon në klasifikimin e shkallës së deformimit dhe përcaktimin e një diagnoze të saktë duke përdorur edhe egzaminimet radiologjike (radiografia, TC-scaner). Një diagnozë e hershme dhe një vlerësim global i aparatit muskulo-skeletrik (shtylla kurrizore, gjunjët etj) bën të mundur trajtimin e menjëhershëm të patologjisë qoftë në nivelin e këmbës dhe qoftë në vizionin global të saj duke korrigjuar edhe alteracionet posturale sidomos me ushtrimin e sporteve më të përshtatshme.
Ndjekja e fëmijës gjatë periudhës së rritjes ndihmon korrigjimin spontan të difekteve posturale dhe në rastet ekstreme lejon kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale të kalkaneusit kur terapia konservative nuk ka sukses.
Këmba dystaban e fëmijës klasifikohet në dy forma klinike:

1. Këmba dystaban fleksibël:

Është forma më e shpeshtë (95%) dhe zakonisht shoqërohet me laksitet artikular të përgjithshëm. Është beninje, gjithmonë asimptomatike, shpesh e shoqëruar nga probleme posturale (gjuri valgus, ecja me këmbët nga brënda).

2. Këmba dystaban rigide: e karakterizuar nga rigiditet (ngurtësim) e dhimbje e këmbës e shoqëruar nga patologji kongenitale si koalicione tarsale ose astragali vertikal.
Në bazë të deformimit dallohen 4 gradë deformiteti të karakterizuara nga forma te ndryshme plantare që vërehen gjatë egzaminimit me podoskop ose baropodometrik.

Terapia: Trajtimi i këmbës dystaban tek fëmija mund të jetë konservativ ose kirurgjikal. Trajtimi konservativ: bëhet fjalë për disa rregulla të vogla të jetës së përditshme që fëmija dhe prindërit duhet të zbatojnë por mbi të gjitha përdorimin e plantarëve specifikë. Është shumë e rëndësishme përzgjedhja e plantarëve të përshtatshëm për gradën e patologjisë që duhet kuruar. Shpesh vihen re fëmijë të cilët nuk përdorin plantarët e duhur duke penguar kështu edhe korrigjimin spontan të këmbës dystaban. Qëllimi kryesor i plantarëve është korrigjimi i pronacionit të pjesës së mbrapme të këmbës duke ngritur dhe shtyrë përpara astragalin dhe duke bërë të mundur rrotullimin e këmbës nga brënda. Egzistojnë shumë lloje plantarësh por më të përhapurit janë:
– plantari në formë elike
– plantari me mbështetësen e thjeshtë të harkut longitudinal të brëndshëm
– plantari prej metalli i Viladot.
– plantari në formë kërmilli i shkollës kaliforniane
Sipas eksperiencës tonë plantari më efikas është pa dyshim ai me atë të sferës nën astragal me një shtesë eventuale të një perni për korrigjimin e valgizmit të thëmbrës.
Ky plantar është i vetmi që realizon një shtytje elastike të konsiderueshme dhe efikase pikërisht në zonën e deformimit duke e ngritur astragalin dhe duke aktivizuar zonën proprioceptive të Spitzy e cila stimulon muskujt që krijojnë harkun e këmbës.
Përdorimi i një plantari korrekt është shumë i rëndësishëm pasi edhe në ato raste kur deformiteti nuk arrihet të korrigjohet, ushtron sidoqoftë një shtytje pasive duke e detyruar këmbën të mbajë një qëndrim postural korrekt. Kjo eviton krijimin e dis-ekuilibrave të skeletit dhe të artikulacioneve të tjera të trupit (sidomos gjurit, kokso-femoralit, shtyllës kurrizore) duke e trasformuar kështu këmbën një një piedestal optimal shumë të rëndësishëm për një organizëm në rritje të vazhdueshme siç është ai i fëmijës.
Trajtimi kirurgjikal: tek fëmijët e moshës 11-12 vjeç me këmbët dystaban të gradës 3-4, me valgizëm të theksuar të pjesës së mbrapme të këmbës, të cilët vizitohen tek specialisti ortoped për herë të parë ose tek të cilët trajtimi me plantarë nuk ka dhënë rezultat, është sigurisht i këshillueshëm trajtimi kirurgjikal. Operacioni konsiston në futjen e një vide brënda sinusit tarsal me teknikën perkutane nëpërmjet një vrime të vogël në lëkurë.
Futja dhe bllokimi i vidës në sinusin tarsal ose e vidosur në kalkaneus në mënyrë të tillë që koka e saj të dalë në dyshemenë e sinusit (kalkaneus stop), kufizon hiper-pronacionin duke penguar rrëshkitjen e astragalit mbi kalkaneus.
Korrigjimi i difektit fillimisht është i natyrës mekanike dhe më pas merr një natyrë proprioceptive, pasi stimuli mekanik i ushtruar nga vida në nivelin e receptorëve të pranishëm në indet e sinusit tarsal stimulon në mënyrë reflekse muskujt që formojnë harkun e këmbës, tensionimi i të cilëve adaptohet tashmë me situatën e re të krijuar pas operacionit dhe vazhdon të mbetet edhe pas heqjes së vidës (zakonisht pas tre vjetësh). Ndërhyrja kirurgjikale është teknikisht e lehtë, kryhet nën kontrollin e skopisë (C-arm) me përdorimin e veglave të posaçme. Vida futet dhe bllokohet me rrugë perkutane nëpërmjet një vrime të vogël në lëkurë.
Kohëzgjatja e operacionit është zakonisht 20 minuta për secilën këmbë, kryhet tek të dyja këmbët në anestezi lokale dhe sedacion në mënyrë që ti evitohet stresi fëmijës.
Zakonisht nuk është i nevojshëm shtrimi në klinikë, këmba nuk ka edemë pas operacionit dhe dhimbja në ditët e para mund të mbahet nën kontroll me anë të barnave të thjeshta kundër dhimbjes. Këmba do të fashohet me një bendazh të thjeshtë i cili do të mbahet për rreth 10 ditë. Dy ditët e para pas operacionit fëmija duhet të qëndrojë shtrirë në krevat duke marrë antibiotikë dhe barna kundër dhimbjes. Më pas fëmija zbret nga krevati dhe kryen hapat e para duke i mbajtur këmbët në supinacion dhe duke i mbështetur në bordin anësor. Pas 2 javësh arrin të ecë ngadalë me pak vështirësi, pa dhimbje dhe akoma me këmbët në supinacion të lehtë. Ecja normalizohet në mënyrë progresive e graduale dhe pas një muaji fëmija është i lirë të vrapojë.

Rezultatet: Korrigjimi i deformimit është spektakolar dhe i menjëhershëm. Egzaminimi radiografik vë në dukje normalizimin e harkut të brëndshëm të kockave ndërsa klinikisht vërehet korrigjimi i plotë i valgizmit të kalkaneusit.

Egzaminimi me podoskop dëshmon normalizimin e mbështetjes së këmbës dhe formën normale të tabanit.

Duke qënë një proçedurë mini-invazive komplikimet janë shumë të rralla. E vetmja komplikancë është intoleranca e fëmijës ndaj vidës në këmbë. Për këtë arsye nëse fëmija vazhdon të ankohet edhe pas 2 muajsh vida mund të hiqet pa shkaktuar asnjë dëm në strukturat muskulo-skelektrike të këmbës.
Teknika kirurgjikale absolutisht mini-invazive, thjeshtësia, shpejtësia, rekuperimi i shpejtë dhe efikas, korrigjimi perfekt i deformimit bëjnë që operacioni i këmbës dystaban tek fëmijët të jetë shumë i këshillueshëm.

Zakonisht këtë operacion tek fëmijët e moshës 12-13 vjeç stafi ynë kirurgjikal e praktikon në periudhën e verës gjatë pushimeve nga shkolla.