Hallux valgus është pa dyshim patologjia më e zakonshme e pjesës së përparme të këmbës, dhe karakterizohet nga një deviacion nga jashtë (apo në valgus) i gishtit të madh i cili i afrohet gishtit të dytë dhe rrotullohet nga brenda. Këtij deformimi mund ti bashkohet deformimi në varus i artikulacionit tarso metatarsal apo dhe deformimi në valgus i artikulacionit interfalangeal proksimal. Fakti që kjo patologji është shumë më e shpeshtë tek femrat tregon që midis shkaqeve të tjera përdorimi këpucëve të ngushta në majë apo me takë të lartë është faktor predominant. Por duhen shtuar dhe faktorë të tjerë të shumtë si trashëgimia, keqformime të lindura të metatarsit të parë (i cili mund të jetë shumë i gjatë), artikulacioni metatarso kuneiform i deformuar në varus etj. Përparimi i patologjisë shkakton deformim të rëndë të këmbës me artroza të artikulacioneve të interesuara, luksacione të kockave të vogla të quajtura sesamoide dhe kontraktura të indeve të buta që e vështirësojnë shumë trajtimin.
Simptomat: Pacienti ankon dhimbje fillimisht nga këpuca në pjesën e brendshme të këmbës, më vonë në gjithë pjesën metatarsale dhe e ka të vështirë të gjeje këpucë të përshtatshme. Më vonë me zhvillimin e artritit degjenerativ dhimbja bëhet më e vazhdueshme dhe shfaqet edhe kur pacienti është në qetësi. Në pjesën e brendshme të këmbës vërehet një fryrje e skuqur dhe shumë e dhimbshme e quajtur “bunion”.
Diagnoza: Diagnoza vendoset nëpërmjet egzaminimit klinik dhe radiografive që duhen bërë nën ngarkesë dhe në projeksione korrekte.
Trajtimi: Trajtimi kirurgjikal nuk duhet kryer vetëm për anën estetike.
Kur deformimi është estetikisht i pranueshëm nga pacienti dhe nuk ka dhimbje, është më i llogjikshëm një trajtim konservativ i cili konsiston në përdorimin e këpucëve komode e pa takë të shoqëruaqr me përdorimin gjatë natës të një splinti midis gishtit të parë dhe të dytë apo një suport plantar kur ka deformime shoqëruese të këmbës. Në rast se terapia konservative dështon, deformimi shtohet shumë dhe dhimbja dominon, ka indikacion ndërhyrja kirurgjikale korrigjuese.
Teknikat kirurgjikale janë të shumta dhe përfshijnë procedurat vetëm në indet e buta, në strukturat artikulare apo dhe osteotomitë korrigjuese apo edhe (lexo teknika moderne perkutane). Prognoza është përgjithësisht e mirë por ka dhe raste të rralla recidivash apo ndërlikimesh postoperatore si infeksionet, ngurtësim i artikulacioneve apo hipekorreksioni në varus.