E njohur ndryshe edhe si “impingement”, kjo sindromë karakterizohet nga një fërkim jonormal ndërmjet kokës së humerusit, të mbuluar nga këllëfi i muskujve rrotullues, dhe buzës së përparme të akromionit (zgjatim i shpatullës). Përgjithësisht krijohet nga shkaqe anatomike të lindura, si forma e akromionit (akromioni si grep), ose si pasojë e fenomeneve artrozike degjenerative.
Një shkak tjetër mund të jetë paqëndrueshmëria e kokës së humerusit gjatë lëvizjeve të shpatullës.
Simptomat: Sëmundja ka 3 stade evolutive: në stadin e parë vihet re shfaqja e një reaksioni inflamator akut në bursën nën-akromiale, në të dytin vihet re kronicizimi i këtij fërkimi që shoqërohet me trashje të bursës. Pikërisht në këtë stad fillojnë të përfshihen në proces edhe tendinet (më shpesh tendini i muskulit supraspinat), të cilët fillimisht shfaqin ndryshime degjenerative, me fibrozë dhe tendinit, e më pas mund të pësojnë këputje të pjesshme ose të plota (stadi i tretë).
Simptomat: kryesore është dhimbja, e cila shfaqet kryesisht natën dhe shoqërohet me pamundësi për të kryer disa lëvizje, kryesisht ato që vënë në punë tendinin e prekur nga procesi. Dhimbja acarohet nga lëvizjet dhe nga përparimi i ndryshimeve degjenerative të tendineve.
Sa më shumë lëvizje të bëjë pacienti, aq më shumë supi është i dhimbshëm dhe aq më e vështirë është të bëhen lëvizje të tjera.
Diagnoza: Ekzaminimi objektiv jep shpesh informacion të mjaftueshëm. Ka disa prova (shpesh janë lëvizje kundër rezistencës) të cilat ortopedi u kërkon pacientëve ti bëjnë dhe që tregojnë qartë praninë e dëmtimeve të tendineve të ndryshëm të muskujve që përbëjnë këllëfin e muskujve rrotullues. Rezonanca Magnetike Nukleare (RMN) është ekzaminimi bazë që konfirmon diagnozën. Shpesh Rezonanca bëhet me lëndë kontrasti.
Terapia: Me përjashtim të rasteve kur në RMN vihet re këputje e plotë e tendinit, në të gjitha rastet e tjera masa e parë që merret është kryerja e fizioterapisë. Vlerë të madhe kanë fizioterapia me valë goditëse, ultratinguj, hipertermi dhe Tecar. Ushtrimet duhet të përfshijnë stretching (zgjatjet) dhe një program specifik për përforcimin e muskujve që përbëjnë këllëfin e muskujve rrotullues. Objektivi i fizioterapisë dhe ushtrimeve është lehtësimi i dhimbjes dhe rikthimi i forcës gjatë lëvizjeve. Për këtë qëllim mund të përdoren edhe barna kundër dhimbjes (antiinflamatorët josteroidë). Pasi zgjidhet komponenti inflamator, mund të kryhet edhe një program rehabilitues për rifitimin e funksionit të krahut dhe të forcës muskulare. Ndërhyrja kirurgjikale merret në konsideratë vetëm nëse pas rreth 6 javësh mjekim konservativ nuk arrihet përmirësim i mirë i gjendjes. Gjithnjë e më shumë po përdoret dekomprimimi artroskopik (akromioplastika), ndonëse, në rast se kushtet nuk lejojnë kryerjen e artroskopisë, mund të bëhet edhe dekomprimimi i hapur. Operacioni pasohet nga një periudhë qëndrimi pa lëvizje të krahut, i cili fiksohet me një tutor (kjo periudhë është më e shkurtër në rast se ndërhyhet me artroskopi), dhe nga fillimi i një protokolli fizioterapeutik të përshtatshëm.