Frakturat e pjesës së sipërme të humerusit përbëjnë rreth 5% të të gjitha frakturave. Shpeshtësia e tyre rritet me rritjen e moshës. Pjesa më e madhe e tyre janë pa zhvendosje të fragmenteve kockore ose me zhvendosje minimale, por kanë rrezik të lartë për nekroza avaskulare të kokës së humerusit, si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me gjak. Frakturat e pjesës së sipërme të humerusit tek personat në moshë të re janë pasojë e dëmtimeve nga goditje të forta dhe shoqërohen shpesh me zhvendosje dhe dëmtim të rëndësishëm të fragmenteve kockore.
Trajtimi konservativ, që përfaqësohet nga fiksimi i krahut për rreth 35 ditë (me tutor ose bendazh të Desault), i ndjekur nga fizioterapia, rezervohet për frakturat që nuk kanë zhvendosje të fragmenteve dhe për pacientët që kanë kundërindikacione për ndërhyrje kirurgjikale.
Tek pacientët më të rinj, të cilët kanë kërkesa më të larta funksionale (për lëvizje të krahut), kur ka zhvendosje të fragmenteve, merren në konsideratë disa lloj ndërhyrjesh kirurgjikale. Nuk ka indikacione uniforme për llojet e ndërhyrjeve kirurgjikale. Ato ndryshojnë, që nga futja nëpërmjet lëkurës e shtizave të Kirshner, fiksimi me pllakë me vida deri në zëvendësimin me protezë.
Vendosja e protezës e ka përmirësuar shumë cilësinë e jetesës së pacientëve, përsa i përket mungesës së dhimbjes dhe rifitimit të funksionit të anësisë e sidomos përsa i përket lëvizjeve që kryhen në jetën e përditshme. Si të gjitha operacionet që nënkuptojnë vendosjen e protezave, edhe ky lloj operacioni indikohet kryesisht në pacientë të moshuar.
Lloji i trajtimit që pason ndërhyrjen kirurgjikale varet nga shumë faktorë. është detyrë e kirurgut operator të përzgjedhë, sa herë që është e mundur, alternativën për të mirë për rastin konkret.