Dëmtimet akute muskulare janë ngjarje të shpeshta në të gjitha disiplinat sportive, duke përfaqësuar rreth 25% të traumave të sportit. Traumat muskulare ndahen në:
♦ Trauma direkte
♦ Trauma indirekte
Gjatë traumave direkte ai që provokon dëmtimin është një agjent i jashtëm (një goditje në futboll, një rrëzim etj), i cili provokon këputjen e një numri fijesh muskulare. Sa më e madhe të jetë energjia e traumës, aq më i madh është dëmtimi muskular. Sa herë dëmtohet një fije muskulare, thuajse gjithmonë ka edhe rrjedhje gjaku në zonën përreth dëmtimit (hematomë), e cila jo gjithmonë është e dukshme, sepse gjaku grumbullohet në pjesët më të thella.
Në traumat indirekte, që janë më të shpeshta, është vetë pacienti që provokon dëmtimin: hipertonitë muskulare, kontraksionet shumë të shpejta, lëvizjet ekstreme të anësisë, metodat e gabuara të stërvitjes mund të jenë disa nga shkaqet e dëmtimeve të tilla. Në varësi të llojit të dëmtimit anatomik mund të bëhet fjalë për një kontrakturë, një ndrydhje, një zgjatje apo një këputje të gradës I, II ose III.
Simptomat: ndryshojnë sipas llojit të dëmtimit. Gjatë traumave direkte atleti ndjen një dhimbje të fortë akute në zonën e goditur, e cila shtohet gjatë shtypjes me gisht. Në pjesën më të madhe të rasteve sportisti është i detyruar ta ndërpresë garën menjëherë pas dëmtimit. Gjatë kontrakturave sportisti vë re një “forcim” përparues të muskulit, me dhimbje progresive gjatë kontraktimit. Në disa raste të tilla mund të jetë e nevojshme të ndërpritet gara po ndeshja. Gjatë ndrydhjeve vihet re një zgjatje muskulare jonormale, e cila pasohet nga një dhimbje akute në zonën e interesuar. Në raste të tilla sportisti nuk është në gjendje të vazhdojë garën/lojën.
Përsa i përket këputjeve muskulare (“strappo”), qofshin këto të gradës I, II apo III, ato përbëjnë një traumë sportive shumë serioze, e cila duhet trajtuar sa më shpejt të jetë e mundur. Sportisti ndjen një “fshikullim” të dhimbshëm dhe përnjëherësh nuk arrin ta lëvizë anësinë. Shpesh është e nevojshme të ndihmohet për të dalë nga fusha. Simptomatologjia ndryshon në varësi të lokalizimit të dëmtimit.
Diagnoza: Është vetë pacienti i cili, duke referuar mënyrën e dëmtimit dhe problemet që ndjeu gjatë traumës, na orienton drejt një diagnoze fillestare të përafërt. Traumat muskulare të lehta ose mesatare diagnostikohen me një farë saktësie nga ekografia dhe rezonanca magnetike. Gjatë traumave të mëdha dhe/ose këputjeve muskulo-tendinoze, rezonanca magnetike mbetet ekzaminimi parësor.
Terapia: fill pas traumës trajtimi kryhet sipas termit anglishtR.I.C.E., d.m.th. pushim, akull, shtypje dhe ngritje lart e anësisë së dëmtuar. Funksioni i akullit është që nëpërmjet mekanizmit të ngushtimit të enëve të gjakut të parandalojë daljen e gjakut prej fijeve muskulare të dëmtuara dhe formimin e hematomës.
Aplikimi i akullit duhet bërë me ndërprerje (për 20 minuta çdo orë), për të mos shkaktuar një ftohje të tepërt të zonës së trajtuar, e cila mund të ketë efekte të dëmshme.

Mund të përdoren menjëherë antiinflamatorë josteroidë nga goja. Nuk këshillohet përdorimi i pomadave apo kremrave fill pas traumës. Është e qartë që terapia që do të ndiqet në ditët në vazhdim do të varet nga shkalla e dëmtimit.
Sidoqoftë, pushimi është gjithmonë i këshilluar. Përsa i përket trajtimit me fizioterapi, prirja e sotme është që ky të fillohet sa më shpejt të jetë e mudur, për të parandaluar shfaqjen e problemeve (nganjëherë serioze) që lidhen me fenomenin e riparimit fibrotik (cikatricet muskulare). Ndër terapitë më të vlerësuara, përveç masazhit sipërfaqësor dhe të thellë, janë TECAR dhe HIPERTERMIA. Rifillimi i aktivitetit fizik duhet përcaktuar nga mjeku, nëpërmjet ekzaminimeve klinike dhe ekografike, dhe nga fakti se si ndihet vetë pacienti, i cili duhet ta shmangë rifillimin qoftë edhe gradual të aktivitetit sportiv edhe nëse ndjen dhimbje fare të lehta.