PUBALGJIA

E quajtur ndryshe edhe sindroma rekto-aduktore, është një patologji shumë invaliduese, e cila prek kryesisht ata që merren me futboll, tenis, basketboll etj. Në një patologji të tillë interesohen muskujt abdominalë (muskuli rectus, muskujt oblikë dhe transversë), aduktorët (aduktori i shkurtër, i gjatë dhe i madh) e, nganjëherë, edhe disa muskuj të legenit.
Fakti që më shumë preken futbollistët lidhet me llojin e lëvizjeve të caktuara që ky lloj sporti detyron të bëhen, si kërcimet, sprintet apo ndryshimet e drejtimit. Të gjitha këto lëvizje pasqyrohen në nivelin pubik si mbingarkesë funksionale.

Si të gjitha patologjitë e mbingarkesës, shkaku shpërthyes është stërvitja ose loja në kushtet e lodhjes.
Shkaqe të tjera të mundshme mund të jenë:
♦ Çekuilibrimi i strukturave muskulare që kapen në regjonin pubik
♦ Hiperlordoza dhe rigjiditeti i vertebrave lumbare
♦ Dismorfizmi i anësive të poshtme dhe i legenit
♦ Këpucët e papërshtatshme dhe terrenet shumë të forta
♦ Difektet në ecje

Disa autorë numërojnë mbi 70 shkaqe të ndryshme të lindjes së kësaj patologjie. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të kuptohet etiopatogjeneza e kësaj patologjie, për të hartuar një strategji terapeutike të përshtatshme.
Simptomat: zakonisht preket vetëm një anë, por mund të preken të dyja. Dhimbja nis përgjithësisht nga kocka pubike, me përhapje në pjesën e brendshme të kofshës dhe lart deri në nivel të barkut. Simptomat theksohen gjatë kontraksioneve të muskulaturës së barkut (p.sh. kur pacienti përkul trupin për tu ngritur nga pozicioni shtrirë në shpinë në pozicionin ndenjur), kur kofsha shtyn kundër një rezistence që ushtrohet ndaj saj, kur pacienti futet në makinë ose del prej saj, kur kollitet etj. Nganjëherë dhimbja është aq e fortë, sa nuk i lejon pacientit të kryejë asnjë lloj aktiviteti fizik, ndërsa herë të tjera është e mbytur, me ndjenjën e një dhimbje të thellë bezdisëse e të vazhdueshme.
Dhimbja lehtësohet nëpërmjet pushimit artikular dhe muskular.

Diagnoza: bazohet kryesisht mbi të dhënat e historisë së sëmundjes dhe nga një ekzaminim klinik i kujdesshëm. Nganjëherë mund të shfrytëzohet edhe një studim radiografik për të vlerësuar dismetritë e legenit ose kalcifikimet e zonës pubike, një ekografi për të vlerësuar trashjen e tendineve, ose një skaner ose rezonancë magnetike për një diagnozë diferenciale të saktë.

Trajtimi: pacienti duhet të mos merret me aktivitet sportiv për një periudhë pak a shumë të gjatë. Pushimi është esencial për të mos e rënduar patologjinë, e cila, nëse nuk trajtohet në mënyrë të përshtatshme, për një kohë të shkurtër mund të bëhet shumë invaliduese. Mjekimi me antiinflamatorë josteroidë duhet të zgjasë pak dhe të përdoret vetëm në fazën akute. Këshillohet gjimnastika posturale për riekuilibrimin e ndonjë asimetrie eventuale të mekanikës artikulare të legenit dhe anësive të poshtme. Manovrat osteopatike nganjëherë kanë dhënë rezultate shumë të mira, me kusht që të kryhen nga persona të kualifikuar. Ndihmojnë edhe forcimi muskular izometrik i shtyllës kurrizore dhe i anësive të poshtme dhe tërheqja (stretching) e regjionit aduktor dhe e zinxhirit muskular posterior deri në tendinin e Akilit. Mjekimi kirurgjikal rezervohet për rastet që nuk përmirësohen me mjekim konservativ. Ndërhyrja kirurgjikale është ajo e Nesovic, gjatë së cilës kryhet një miorrafi inguinale mundësisht bilaterale (për të mos krijuar prishje ekuilibri).

ARTIKUJ TE NGJASHEM: