Artikulacioni i gjurit lidh midis tyre femurin, tibian dhe patelën (kupën e gjurit).
Sipërfaqet e kockave janë të mbuluara nga një shtresë kartilagoje (kërci) që zvogëlon forcat e fërkimit. Menisqet (dy për çdo gju) kanë formë patkoi dhe ndodhen midis femurit dhe tibias e shërbejnë si amortizatorë dhe mbrojnë sipërfaqen artikulare të kontaktit. Legamentet lidhin midis tyre disa struktura, kryesisht femurin dhe tibian duke stabilizuar si litarë artikulacionin. Kapsula është një lloj mbështjellëse që rrethon gjurin dhe përmban likidin sinovial që ushqen dhe lubrifikon artikulacionin.
Në këtë kapitull do të analizojmë patologjitë më të shpeshta të strukturave të ndryshme që përbejnë këtë artikul
acion kompleks.

Dëmtimet në brëndësi të gjurit përbëjnë një kuadër klinik shumë të shpeshtë në traumatologi. Përndrydhja e gjurit prek edhe komponentet legamentoze, kapsulare, meniskale dhe muskulo-tendinoze. Strukturat anatomike të gjurit janë të lidhura ngushtë midis tyre dhe për këtë arsye pothuajse asnjeherë nuk dëmtohet vetëm një komponent i veçantë struktural por shpesh disa komponente anatomike. Madhësia e dëmit varet natyrisht nga forca e impaktit dhe mund të vërehen që nga tërheqjet apo përdredhjet e disa fashave deri në këputje të pjesshme ose të plota të legamenteve.