Luksacioni është humbje e kontaktit ndërmjet dy sipërfaqeve artikulare të një kyçi. Shpatulla është kyçi që pëson më shpesh luksacione, nga të cilat rreth 84% janë të përparshme. Ndërlikimi më i zakonshëm i luksacioneve janë ripërsëritjet, të cilat bëhen aq më të rralla, sa më shumë rritet mosha e pacientit.
Janë propozuar disa lloj klasifikimesh për luksacionet, por aktualisht ato ndahen në dy grupe kryesore: luksacionet me origjinë traumatike dhe ato me origjinë jotraumatike, të cilat prekin persona me artikulacion më të dobët. Të parat, zakonisht priren të përsëriten dhe trajtohen kirurgjikalisht, ndërsa të dytat, mund të trajtohen me cikle rehabilitimi dhe përforcim të muskulaturës. Çdo luksacion përfaqëson një traumë për kyçin.
Luksacionet e përsëritura mund të shkaktojnë dobësim deri në këputje të njërit nga ligamentet e shpatullës apo të këllëfit fibroz.
Simptomat: Luksacioni mund të konsiderohet urgjencë ortopedike, në kuptimin që rifutja e kyçit (dhe rivendosja e kontaktit ndërmjet sipërfaqeve artikulare) duhet bërë sa më shpejt të jetë e mundur. Manovra e rifutjes së kyçit zakonisht kryhet me sedacion. Dobësia e kyçit nuk shkakton shfaqjen e simptomave specifike, përveç një ndjenje subjektive paqëndrueshmërie të kyçit. Kur bëhet fjalë për dobësi kronike (të paktën 4 ose 5 episode), luksacionet mund të shfaqen edhe gjatë natës apo në qetësi.
Diagnoza: Gjatë situatave akute zakonisht kryhet një radiografi e kyçit, pastaj manovra e rifutjes së tij. Në rastet e luksacioneve të përsëritura dhe në rastet e paqëndrueshmërisë së ligamenteve është shumë i rëndësishëm ekzaminimi objektiv, për të vlerësuar klinikisht stabilitetitin e kyçit. Ekzaminimi që tregon me saktësi praninë dhe lokalizimin e problemit është Rezonanca Magnetike Nukleare. Një shpatull që del një herë ka shumë mundësi të dalë prapë.
Terapia: Pas një episodi luksacioni, krahu fiksohet për rreth 2 javë, me një tutor apo bendazh. Më pas fillohet një program fizioterapie dhe përforcimi muskular. Në rastet e luksacioneve të përsëritura dhe kur strukturat legamentoze janë të dobëta, zgjidhja është kirurgjikale. Duhet nënvizuar se mosha, nevojat funksionale dhe aktiviteti sportiv përfaqësojnë parametra që duhen marrë në konsideratë përpara marrjes së vendimit për kryerje të ndërhyrjes kirurgjikale. Teknikat e riparimit janë të shumta, si artroskopike, ashtu edhe të hapura.
Riparimi artroskopik shoqërohet me shanse më të larta për ripërsëritje të luksacionit, krahasuar me riparimin e hapur. Ky i fundit ka, nga ana tjetër, periudhë rikuperimi më të gjatë.
Programi postoperator parashikon bllokimin e krahut me një tutor, rikuperimin e kyçit dhe më pas rikuperimin e forcës muskulare.