Kyçi akromio-klavikular ka lëvizshmëri minimale. Faktikisht, akromioni dhe klavikula lidhen fort me njëri-tjetrin, të ndihmuar edhe nga një legament i trashë. Mekanizmi i traumës shpesh përfaqëson një ndarje dhe spostim të këtyre dy sipërfaqeve artikulare. Dëmtimet akute të artikulacionit akromio-klavikular janë të shpeshta gjatë sporteve me kontakt fizik (regbi, futboll, hokej), ose mund të jenë pasojë e një traume akute, siç janë rrëzimet mbi shpatull.
Simptomat: Dëmtimet janë të ndryshme, si përsa i përket simptomatologjisë, ashtu edhe shkallës së rëndesës. Ato shkojnë nga shkëputja e thjeshtë (e klasifikuar si Shkalla I), gjatë së cilës nuk haset këputje e plotë e legamenteve dhe pacienti ankon vetëm një dhimbje të lokalizuar, në shkëputjet e Shkallës II, ku legamenti akromio-klavikular këputet krejtësisht. Në dëmtimet e Shkallës III vihet re këputje edhe e legamenteve korako-akromialë, gjatë të cilave pacienti ankon dhimbje dhe deformim të kyçit. Dëmtimet e Shkallës IV përfaqësojnë luksacionin komplet të pjesës distale të klavikulës. Shkallët V dhe VI të dëmtmit janë më të rralla dhe nënkuptojnë luksacion komplet të klavikulës, me interesim edhe të muskulaturës rrethuese.
Diagnoza: Radiografia është ekzaminimi i zgjedhur. Ajo duhet kryer gjithmonë në të dy krahët, për të krahasuar kyçin e prekur me atë të anës tjetër. Mund të kryhen radiografi nën ngarkesë, me pesha deri në 4.5 kg në secilën dorë, për të vlerësuar më mirë hapësirën korako-akromiale të shpatullës së dëmtuar, krahasuar me atë të shëndoshë.
Terapia: Mënyra e trajtimit të këtyre dëmtimeve është objekt debati. Për dy shkallët e para ndiqet një strategji konservative, me bllokim të krahut dhe aplikim të një shtyrje në nivel të klavikulës. Për shkallën III autorët nuk bien dakord mbi mënyrën e trajtimit.
Qepja e thjeshtë e legamentit, që mund të kryhet edhe me artroskopi, nuk ofron një qëndrueshmëri në kohë. Përfitimi nga kjo ndërhyrje është kryesisht estetik, por dhimbja në nivel të artikulacionit mund të mbetet edhe pas operacionit. Qoftë pas bllokimit të krahut, ashtu edhe pas operacionit, fillohet një program rehabilitues. Në shkallët më të rënda të këtij dëmtimi kirurgjia është e pashmangshme. Teknikat kirurgjikale përfshijnë fiksimin me vida dhe sutura të kryqëzuara, pasuar nga një bllokim i krahut prej 4 javësh.