Nervi median në nivelin e kyçit të dorës del më në sipërfaqe dhe futet në dorë nëpërmjet tunelit karpal, i cili është një kanal i formuar nga kockat karpale mbi të cilat tendoset legamenti transvers i karpeve, një shirit fibroz që përbën “çatinë” e tunelit.
Sidroma e tunelit karpal, është një sindromë shtypjeje e nervit me shkaqe të ndryshme të cilat në fillim shkaktojnë infiamacion dhe më pas ndryshime degjenerative të nervit median. Me kalimin e moshës, sidomos në ata që praktikojnë punë të rënda me duart, por edhe në sëmundje sistemike si diabet, artrit, situata si shtatëzania, përdorimi i kontraceptivëve oralë apo në trauma të dorës, vihet re një trashje e legamentit transvers. Çfarëdolloj faktori që shton presionin në brendësi të tunelit, komprimon nervin median duke dhënë STK.
Simptomat: Dhimbja është sipmptoma kryesore. Njihen tre faza: Faza irritative, në të cilën dominon dhimbja shpesh natën, e irradiuar në pëllëmbën e dorës dhe në kyç. Një fazë deficitare, në të cilën fillojnë të çfaqen shenja të vuajtjes nervore, me humbje të ndjeshmërisë sidomos në tre gishtat e parë, dhe një fazë paretike, në të cilën defiçitit ndjesor i shtohen edhe alterime motore si vështirësia për të shtrënguar gishtat dhe për të “pickuar” me gishtin e madh dhe gishtin tregues.
Diagnoza: Është klinike dhe përcaktohet nëpërmjet shenjave e simptomave karakteristike (shenjat Tinel e Phalen). Mirë është që të bëhet një radiografi e dorës si dhe një egzaminim elektromiografik që shërben për të vlerësuar vitalitetin dhe përçueshmërinë e nervit. Në diagnozën diferenciale është shumë e rëndësishme të vlerësohet nëse patologjia i dedikohet shtypjes së nervit në nivelin e tunelit karpal apo vjen nga një sindromë e komprimimit apo irritimit të nervave në vertebrat e qafës.
Terapia: Terapia konservative përfshin marrjen e medikamenteve anti infiamatorë, përdorimin e tutorëve, infiltracionet me kortizonikë dhe fizioterapinë (tecar dhe hipertermi). Megjithatë, shpesh zgjidhja e vetme dhe përfundimtarë vjen nga kirurgjia, që mund të aplikohet me rrugë artroskopike apo të hapur dhe konsiston në dekomprimimin e nervit nëpërmjet një incizioni të vogël në pëllëmben e dorës dhe lirimit të legamentit transvers karpal.