Është sëmundja më e shpeshtë kongjenitale e skeletit, e karakterizuar nga paqëndrueshmëria e artikulacionit për shkak të laksitetit të kapsulës artikulare dhe legamenteve që rrethojnë artikulacionin apo për shkak të displazisë së lindur të folesë acetabulare. Vërehet një keqformim i kërcit acetabular dhe kontrakturë muskulotendinoze rreth artikulacionit. Ndryshimet në kocka dhe indet e buta tentojnë të rëndohen me kalimin e moshës dhe kthehen në permanente nëse sëmundja lihet pa trajtim. Vetëm në 2% të rasteve ka një dalje të mirëfilltë të kokës femorale nga foleja acetabulare. Sëmundja është mjaft e shpeshtë në vendet që lagen nga deti Mesdhe, (rreth 10 në çdo 1000 fëmijë) dhe seksi femër preket rreth tre-katër herë më shpesh se meshkujt.
Simptomat: Për fat të keq displazia zhvillimore koksofemorale nuk ka shenja të dukshme klinike në të porsalindurit e për këtë arsye të gjithë neonatët duhen vizituar klinikisht për praninë e laksitetit të artikulacionit koksofemoral.
Pas moshës së ecjes ajo manifestohet me çalim, që është edhe shenja më dramatike e që tregon se diagnoza është shumë e vonuar.
Disa shenja alarmi si asimetria e palave të lëkurës apo një kufizim i hapjes së kofshëve në bebet e muajve të parë të jetës duhet të na bëjnë që fëmija të vizitohet sa më parë nga specialisti ortoped.
Diagnoza: Në ditët tona i një rëndësie të vëçantë është egzaminimi ekografik i artikulacionit koksofemoral, i cili përveçse është krejt i padëmshëm lejon studimin perfekt të indeve të buta duke u bërë mjeti kryesor i parandalimit të kësaj sëmudjeje në të gjithë botën. Pas muajit të tretë të jetës radiografia e legenit na jep të dhëna më të sakta. Të dy testet duhet të interpretohen nga specialistë me përvojë të madhe.
Terapia: Konsison në vendosjen dhe mbajtjen e kokës femorale në brendësi të acetabulit dhe varet jashtëzakonisht nga mosha në të cilën fillohet. Në mosha të vogla dhe raste të lehta do të mjaftonte përdorimi i “pelenave” apo jastëkëve të posaçëm për disa muaj. Në rastet e luksacioneve apo kur sëmundja diagnostikohet në moshë të madhe, mjekimi bëhet më i vështirë dhe kalon përmes imobilizimeve në gips dhe/ose ndërhyrjeve të vështira dhe mjaft impenjative në indet e buta apo kockat e legenit.