PROTEZA KOKSO-FEMORALE

Në shumë rrethana, në rastin e artritit senil, artritit post-traumatik, të kompromentimit të enëve të gjakut për shkak të një frakture, të nekrozës idiopatike, të displazisë apo artrozës, artikulacioni koksofemoral rezulton kaq shumë i alteruar sa zgjidhja e vetme është një zëvendësim protezik i kokës femorale (hemiarthroplasty) ose kokës dhe komponentit acetabular (arthroplasty).
Në mënyrë tipike, impiantimi i një proteze, është i nevojshëm kur dhimbja në artikulacion ose e irradiuar në ijë dhe kofshë, është e tillë që kompromenton aktivitetet e përditshme të pacientit.
Gjatë viteve, ka pasur një evolucion të vazhdueshëm në lidhje me materialet e përdorura për komponentët e ndryshëm të protezave si dhe aliazhet midis metaleve të ndryshme që përbëjnë ato.
Në thelb ekzistojnë dy sisteme të fiksimit të protezave me kockat, një sistem biologjik dhe një i çimentuar. Në SISTEMIN biologjik, proteza fiksohet në kockë përmes osteointegrimit, dmth, një ankorim natyral me formimin e kockës së re rreth dhe brenda mikroporoziteteve të materialeve protezike. Për këtë qëllim, vitet e fundit, implantet e përdorura janë të veshura në sipërfaqe me një shtresë hidroksiapatiti, një komponent i natyrshëm i kockave, qëllimi i të cilit është stimulimi i formimit të kockës.
Në protezën e çimentuar, komponentët e protezave ankorohen në kockë duke futur në kanalin e femurit dhe rreth komponentit acetabular një çimento të veçantë kockore. Në përgjithësi, proteza është një operacion rutinë, e cila përfshin rreth një javë shtrimi në klinikë, i ndjekur nga një program për rehabilitimin postoperator, i cili mund të kryhet në qendrat e specializuara ose në shtëpi me ndihmën e terapistit.
Duke rikujtuar se çdo femur dhe acetabul ndryshojnë nga një individ në tjetrin, para interventit, pacienti i nënshtrohet një studimi të plotë anatomik dhe biomekanik në mënyrë që të vendoset proteza e përshtatshme. Nëpërmjet studimit radiografik, imazheve të skanuara, dhe një programi të veçantë kompiuterik, ne jemi në gjendje tu ofrojmë pacientëve zgjidhjen protezike më të përshtatshme. Çdo ndryshim morfologjik duhet të merret parasysh. Shumë pacientë kanë një gjatësi të ndryshme të gjymtyrëve të poshtme për shkak të shkurtesës së gjymtyrës së sëmurë. Një asimetri e tillë mund të korrigjohet duke kryer osteotomi të femurit në nivelin e duhur dhe duke zgjedhur një protezë me gjatësi dhe formë të përshtatshme.
Ecja e asistuar lejohet pas 3 ditësh dhe për një periudhë disa javore mund të këshillohet mbajtja e patericave.
Kontrollet periodike me radiografi vlerësuese do të bëhen pas një, tre, gjashtë muajsh dhe një viti.
Me përmirësimin e materialeve të përdorura për prodhimin e protezave, jetëgjatësia e tyre zakonisht llogaritet në rreth 15/20 vjet, por ky afat varet natyrisht nga shumë faktorë.
Gjatë aktivitetit tonë profesional në Itali kemi aktualisht edhe shumë raste të pacientëve të operuar prej më shumë se 30 vjetësh të cilët vazhdojnë të kenë akoma rezultate shumë të mira dhe të kryejnë një jetë normale. Një protezë bën të mundur kryerjen e shumë aktiviteteve sportive, por me rrezikun që një ngjarje traumatike të minojë jetëgjatësinë. Këshillohet të mos shtohet peshë pas operacionit, të bëhet një trajtim parandalues për trombozën venoze, të mos flihet në anën e operuar ditët e para pas interventit si dhe të vihet një jastëk në mes të këmbëve në rast se pacienti shtrihet në anë, të bëhet kujdes nëse pacienti ulet në karrige shumë të ulëta, (ngritje e WC-së), të jetë i kujdesshëm kur përkulet për të marrë sende nga dyshemeja, të evitohet pozicioni “këmbëkryq” apo “këmbë mbi këmbë” si dhe të kontrollohet periodikisht nga kirurgu ortoped.

Kohëzgjatja e interventit: rreth 1 orë

Qëndrimi në spital: nga 5 deri 7 ditë

Rehabilitimi: rreth një muaj me ndihmën e fizioterapistit dhe duke vazhduar më pas në shtëpi me ushtrime forcimi muskular dhe rikuperimi artikular.