Incidenca e frakturave, është e lidhur me disa faktorë të tillë si mosha, gjinia dhe rraca dhe tenton të dyfishohet çdo dekadë pas moshës 50 vjeç. Femrat janë më të prekura me një frekuencë prej rreth 3:1. Në kundërshtim me atë që ndodh në popullsinë e moshuar, ku mekanizmi kryesor i lëndimit përfaqësohet nga një rënie në rrugë ose në shtëpi, kjo sëmundje në popullsinë e re është e lidhur me trauma të forta si aksidente rrugore. Osteoporoza, (një sëmundje kryesisht femërore), është një shkak kryesor i thyerjeve të qafës së femurit.
Për arsye anatomike, frakturat e qafës së femurit shoqërohen me rrezik për kompromentimin e enëve të gjakut të këtij rajoni anatomik, gjendje kjo e lidhur shpesh me nekrozën avaskulare apo nekrozën aseptike të kokës femorale. Për arsye didaktike, frakturat e qafës së femurit ndahen në mediale (bazoçervikale, subkapitale, medioçervikale) dhe laterale (pertrokanterike, subtrokanterike).
Simptomat: Pacientët zakonisht paraqiten me dhimbje te regjonit koksofemoral, këmbën të afruar me tjetrën, të rrotulluar nga jashtë dhe më të shkurtër në pamje se këmba e shëndoshë.
Diagnoza: Egzaminimi klinik dhe radiografia e kokso-femoralit bën te mundur përcaktimin e diagnozës.
Terapia: Trajtimet janë të ndarë në përgjithësi në dy grupe; fiksime të brendshme (sinteza kockore) dhe zëvendësime artikulare. Reponimi është një hap kritik për funksionimin e sintezës, dhe shpesh arrihet me tërheqje gjatësore dhe rotullim të brendshëm të anësisë. Sot ka shumë metoda të fiksimit të brendshëm; nga përdorimi i vidave të kanjuluara, metoda më pak invazive, e deri tek vida dhe pllaka kompresive, ose përmes përdorimit të gozhdëve intramedulare.
Për ato thyerje ku rreziku i nekrozës është i lartë (frakturat mediale) për shkak të shkallës së zhvendosjes dhe lokalizimit, mund të zgjidhet një zëvendësim protezik, i cili mund të jetë total (arthroplasty) ose i pjesshëm (hemiarthroplasty). Vlerësimi është zakonisht i bazuar mbi moshën, shëndetin e përgjithshëm, dhe kërkesat funksionale të pacientit.
Si në rastet e sintezave ashtu edhe zëvendësimet protezike metalike, pacienti duhet ti nënështrohet një procesi relativisht të gjatë rehabilitimi në një qendër të specializuar.