Koksofemorali është një artikulacion i formuar nga koka femorale me formë të rrumbullakët, dhe nga acetabuli, komponent i legenit që e pranon atë duke formuar një kompleks të ngjashëm me një “topth” të futur brenda një zgavre. Funksioni i tij kryesor është të mbështesë peshën e trupit si në pozicion statik (në këmbë) ashtu dhe në dinamikë (gjatë ecjes ose vrapimit). Të dyja sipërfaqet janë të veshura me një shtresë të hollë kërci hialin, e cila lejon uljen e forcave të fërkimit midis dy kockave. Në sajë të një kapsule fibroze të fuqishme dhe të bollshme, ky artikulacion është i dyti (pas supit) në amplitudën e lëvizjeve që realizon.
Koka femorale është e lidhur me diafizën femorale (pjesën e drejtë të kockës) me anë të qafës femorale, një zonë e brishtë ku shpesh ndodhin fraktura, sidomos në persona të moshuar të prekur nga osteoporoza. Zakonisht zona e rritjes së kokës femorale, mbetet e hapur deri në 13 vjeç në vajzat dhe 14 ose 15 vjeç në djemtë. Para kësaj moshe, forca të ndryshme, duke vepruar në zonën e rritjes, mund të shkaktojnë zhvendosjen e saj apo epifiziolizën (shih kapitullin e patologjisë pediatrike).
Nga ana tjetër në popullsinë e moshuar, më shpesh ndodh një humbje e hapësirës së përbashkët rreth kokës femorale, shenjë kjo e një procesi të lidhur me konsumin artikular. Më rrallë mund të shihen proçese të artritit degjenerativ në mosha të reja gjë që mund ti atribuohet keqformimeve të lindura të artikulacionit apo sëmundjeve të tilla si nekroza aseptike e kokës femorale, shpesh për shkak të përdorimit të dozave masive të kortizonit për sëmundje sistemike (sëmundje të indit lidhor, sëmundje reumatizmale etj).