DISPLAZIA

Displazia e artikulacionit kokso-femoral (këllku) është një deformim artikular që fillon gjatë jetës intra-uterine (brënda barkut të nënës, gjatë shtatëzanisë) së fëmijës dhe vazhdon të zhvillohet gjatë viteve të para të jetës. Karakteristikë dalluese e një kokso-femorali displazik është instabiliteti, pra laksiteti i tepruar i artikulacionit që i lejon kokës së femurit të dalë dhe të hyjë në folenë e acetabulit kur ushtrohet forcë nga jashtë (psh. forca e ushtruar nga ortopedi pediatër gjatë vizitës së femijës së porsalindur). Nëse instabiliteti nuk diagnostikohet dhe nuk kurohet, me kalimin e muajve koka e femurit nën ushtrimin e forcës muskulare dhe të peshës së trupit, humbet gradualisht raportet me acetabulin dhe spostohet lart, duke formuar kështu një luksacion të përhershëm të këllkut. Popullsia e rracës së zezë dhe aziatike preket shumë rrallë nga kjo patologji e cila është pothuajse ekskluzive e rracës së bardhë. Femrat janë më të prekura se sa meshkujt, ndoshta nga efekti i hormoneve seksuale në zhvillimin e artikulacionit.
Shkaqet: Ashtu si për shumë patologji të tjera, edhe për displazinë e këllkut nuk egziston një shkak specifik i njohur, por ka disa faktorë rreziku të cilët duke u kombinuar midis tyre, mund të shkaktojnë instabilitetin e artikulacionit kokso-femoral. Në veçanti laksiteti kapsulo-legamentoz, një condicion i cili kryesisht është gjenetik me karakteristika familiariteti, duket se është elementi kryesor.
Një faktor tjeter është edhe pozicioni intrauterin i fetusit: një pozicion podalik me gjunjët e shtrirë duket se shkakton tërheqjen e kapsulës artikulare duke favorizuar displazinë. Po ashtu edhe pozicioni i fëmijës në shtrat pas lindjes mund të influencojë zhvillimin e sëmundjes: një pozicion me këllqet e tërhequra, me kofshët e bashkuara dhe të shtrira, siç ndodhte në te kaluarën me fashimin ne djep të të porsalindurit, është i rrezikshëm. Përdorimi i panolineve ka reduktuar shumë incidencën e kësaj sëmundje.

Diagnoza: Displazia evolutive shfaqet në forma të ndryshme gjatë jetës.
♦ Tek i porsalinduri: vetëm një vizitë ortopedike pediatrike vë në dukje instabilitetin i cili normalisht nuk jep shenja dhe simptoma të dukshme.

♦ Tek fëmija që nuk ecën akoma: forca e muskulaturës mund të ketë shkaktuar një luksacion të pjesshëm (subluksacion) ose të plotë të artikulacionit. Këmba e sëmurë është më e shkurtër, me asimetri dhe kufizim të abduksionit të këllkut të sëmurë.
♦ Tek fëmija që ecën pesha e trupit tenton ta luksojë artikulacionin duke shkaktuar një shkurtim të këmbës dhe çalim gjatë ecjes.

♦ Tek i rrituri mund të dallojmë dy raste sipas faktit nëse këllku është i luksuar apo jo.

Nëse artikulacioni kokso-femoral është i luksuar problemet janë në shumicën e rasteve më të theksuara tek shtylla kurrizore (hiperlordozë) dhe tek gjuri (valgus) pasi janë të mbingarkuar me qëllim kompensimi. Në rastin e dytë, një artikulacion kokso-femoral i sub-luksuar me acetabul jo shumë të thellë mund të zhvillohet para kohe një artrozë e rëndë që dallohet nga artroza primare nga kufizimi i madh i rotacionit të jashtëm dhe për shkurtimin e theksuar të anësisë së sëmurë.
Diagnoza neonatale e displazisë së artikulacionit kokso-femoral bëhet kryesisht me ekografi, pasi koka e femurit fillon dhe krijon kockën (dhe të evidencohet me ekografi) vetëm rreth muajit të pestë. Një ekografi 6-8 javë pas lindjes është e këshillueshme si egzaminim screening, edhe në rast se nuk dyshohet një patologji e tillë, pasi një diagnozë e hershme mund të lejojë një trajtim të menjëhershëm dhe të mirë.
Tek i rrituri, radiografia e artikulacionit kokso-femoral është e mjaftueshme për të vënë në dukje displazinë.

Në këtë foto koka e femurit nuk ndodhet në acetabulin origjinal por është e spostuar disa centimetra më lart.

Terapia: Tek të porsalindurit është e mundur që artikulacioni displazik të kurohet dhe koka e femurit të futet në acetabul duke përdorur divarikatorë.
Rrallë dhe zakonisht kur diagnoza vihet me vonesë janë të nevojshme manovra më të forta dhe futje në allçi.
Në raste të vështira, shumë të rralla, kirurgu ortoped pediatër mund të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale me osteotomi femorale apo të legenit.

Artikulacionet displazike tek fëmijët me moshë mbi 8-10 vjeç nuk duhen operuar pasi me kalimin e viteve japin më shumë dhimbje dhe shqetësime se nje artikulacion displazik i pa operuar.
Pacienti i rritur duhet të përpiqet të parandalojë artrozën e artikulacionit. është shumë e rëndësishme që ruhet një peshë trupore e ulët, të evitohen aktivitetet sportive që sforcojnë artikulacionin si vrapi të cilat duhen zëvendësuar me sport tjetër si noti. Mbajtja e një toni muskular të mirë nëpërmjet ushtrimeve të caktuara mund të reduktojë çalimin.

Në rastet e artikulacioneve displazike që janë operuar më parë duke futur femurin në acetabul, të cilat kanë akoma një dispolazi të mbetur por pa shenja të artrozës, është e mundur të kryhen ndërhyrje kirurgjikale korrigjuese me osteotomi orientimi.
Ky lloj operacioni kryhet në pacientë specifikë zakonisht të moshës së re – të rritur dhe ka si qëllim përmirësimin e raporteve midis femurit dhe acetabulit për të parandaluar artozën. Kur shenjat fillestare të artrozës janë evidente, por funksioni artikular është akoma i ruajtur është e mundur të kryhet një operacion i quajtur “Osteotomia e Chiari”, osteotomi paliative e legenit e cila ka si qëllim të rrisë mbulesën e kokës së femurit dhe të ngadalësojë kështu përparimin e sëmundjes.
Kur artikulacioni kokso-femoral ka degjeneruar në artrozë dhe jep dhimbje, operacioni i protezës totale të këtij artikulacioni përbën zgjidhjen më efikase. Meqenëse ky lloj operacioni është më i vështirë dhe ka mundësi të ketë komplikime më shumë se proteza në rastet e koksartrozave, çdo pacient duhet vlerësuar me kujdes. Artikulacionet kokso-femorale displazike të luksuara, që zakonisht tolerohen mirë nga pacientët, duhen operuar me protezë totale vetëm kur janë vërtet invaliduese për pacientët.