Kondropatia në moshat në zhvillim (11-15 vjeç): Që në moshë të re mund të shfaqen difekte ose konsumimi i parakohshëm i kërcit artikular. Këto sëmundje shkaktohen mbi të gjitha nga faktorë të lindur ose të trashëguar. Bëhet fjalë për patelën (kupën e gjurit) jo-në-aks, displazitë e kockave, gjunjët e shtrembëruar (valgus ose varus), apo difekte që varen nga këmba dystaban apo e deformuar (valgus). Mbi të gjitha një kondropati tipike e moshave në zhvillim është Osteokondriti disekant. Bëhet fjalë për një proçes gjatë të cilit një segment i kërcit dhe të kockës sub-kondrale shkëputet plotësisht ose pjesërisht nga sipërfaqja artikulare. Lokalizimi më i shpeshtë është në kondilin medial, dhimbja shfaqet gjatë qëndrimit në këmbë dhe shtohet gjatë aktivitetit fizik.
Diagnoza: Bazohet në egzaminimin klinik, dhe mbi studimin radiologjik (radiografi dhe rezonancë manjetike nukleare). është mirë të vlerësohet shtrirja e dëmtimit dhe lokalizimi i tij pasi këto parametra janë të rëndësishëm për trajtimin e kësaj patologjie.
Terapia: Nëse pjesa e kërcit e dëmtuar është plotësisht e shkëputur atëherë mund të hiqet me artroskopi, ndërsa nëse është akoma pjesërisht i ngjitur me kockën, mund të fiksohet me vida ose gozhdë të vogla të bioabsorbueshme gjithmonë me artroskopi. Në varësi të shtrirjes së dëmit është e mundur të implantohet një copë osteokondrale ose kondrocite autologe.
Sa herë që ndodhemi përpara një fëmije me gju të fryrë, të ngrohtë dhe të dhimbshëm i cili nuk ka patur ndonjë traumë, është gjithmonë e këshillueshme të përjashtohet një sëmundje reumatike e moshës së re të cilat mund të kenë një simptomatologji të ngjashme; për këtë arsye është mirë të kryhen analizat për sëmundje reumatike (pcr, aslo, cpk, reuma test, ana, asma, W. Roose)