Këto kiste formohen nga zgjerimi i bursës së tendineve të muskujve semimembranoz ose gastrocnemius medial. Këto bursa janë shpesh të lidhura me artikulacionin e gjurit. Në rast të një versamenti artikular likidi infiltrohet në bursë nëpërmjet një mekanizmi valvular që lejon kalimin e likidit në drejtim të bursës dhe jo kthimin mbrapsht. Likidi që mbush bursën provokon fryrjen e saj dhe formon kistin.
Kisti formohet pothuajse gjithmonë nga ndonjë patologji tjetër e gjurit si: çarja e meniskut, gonartroza, artriti reumatoid, sëmundje që shkaktojnë sinovite. Kisti duke u rritur mund të spostohet midis muskujve dhe të shfaqet si një fryrje në kavitetin popliteal në pjesën e pasme të gjurit.
Tek fëmijët manifestohet si një masë jo e dhimbshme me dimensione të vogla. Zakonisht shfaqet tek meshkujt e moshës nga 2 deri në 14 vjeç, nuk ka simptoma por mund të shkaktojë bezdi dhe kufizim të lëvizjes së gjurit.
Diagnoza bazohet në egzaminimin klinik dhe tek rezonanca manjetike. Nëse nuk ka ndonjë dëmtim intra-artikular, nuk është nevoja për ndonjë trajtim të veçantë, 70% e kisteve zhduket spontanisht në harkun e disa muajve ose viteve. Heqja kirurgjikale e kistit kryhet në ato raste kur kjo e fundit pengon aktivitetin normal të fëmijës ose kur shtyp enët e gjakut apo fibrat nervoze të kavitetit popliteal. Duhet patur parasysh që në 40% të rasteve kisti mund të ri-shfaqet. është e rëndësishme të informohen prindërit që është një patologji beninje.
Simptomat: shpesh është pa simptoma dhe mund të zbulohet rastësisht pas një rezonancë manjetike ose ekografie të gjurit. Nganjëherë mund të ushtrojë një presion në kavitetin popliteal duke i shkaktuar pacientit një ndjenjë peshe në anen e pasme të gjurit, mungesë sensibiliteti të kaviljes apo këmbës, dhimbje të pulpës dhe në rastet më të rënda kufizim të mbledhjes-shtrirjes së gjurit.

Diagnoza: nganjëherë është e mundur të shihet edhe një zonë e fryrë ne kavitetin popliteal sidomos kur pacienti është në pozicionin në këmbë.
Ekografia konfermon praninë e kistit dhe bën të mundur të kontrollohet edhe evolucioni i tij. Rezonanca manjetike tregon imazhet e kistit dhe përmbajtjen e saj me likid.
Terapia: Kur origjina e kistit është traumatike mund të përdoren medikamente anti-infiamatore si dhe fizioterapi. Në 60% të rasteve operacioni i menisqeve dhe zgjidhja e problemeve meniskale nga ku kisti ka marrë origjinën, është i mjaftueshëm për të drenuar në artikulacion likidin e kistit, duke penguar kështu edhe ri-formimin e tij. Teknika kirurgjikale që mund të përdoret për të kuruar kistin varet në radhë të parë nga dimensionet e tij. Nëse eshtë i vogël, kisti mund të aspirohet me teknikën e artroskopisë. Në rastin e kisteve të mëdha mund të kryhet një ndërhyrje kirurgjikale, e cila duhet vlerësuar paraprakisht me kujdes, qoftë për kompleksitetit e operacionit i cili duhet kryer me shumë kujdes për praninë e strukturave vaskulare dhe nervoze, e qoftë për mundësinë e lartë të ri-formimit të kistit.