Tendini i patelës (kupa e gjurit) lidh këtë të fundit me kockën e tibias dhe ka si funksion përthyerjen dhe shtrirjen e gjurit sipas forcës së ushtruar nga muskujt e kofshës. Bëhet fjalë për një strukturë shumë të fortë pjesa qëndrore e së cilës mund të përdoret edhe për rikostruksionin e ligamentit kruciat anterior. Aktiviteti sportiv i sforcuar dhe i përzgjatur në kohë mund të shkaktojë të ashtuquajturat “patologji nga mbingarkesa funksionale”.
Edhe devijimet aksiale të këmbëve dhe ndryshimet morfologjike të skeletit të trupit mund mund të ndikojnë në zhvillimin e kësaj patologjie. Po ashtu stërvitja e gabuar apo terreni sportiv shumë i fortë apo këpucët e sportit te cilësisë së ulët mund të çojë në dëmtim të këtij tendini. Këta faktorë mund të çojnë fillimisht në një proçes flogjistik (tendinit) që me kalimin e kohës mund të shkaktojë një rupturë të tendinit patelar.
Simptomat: Në dëmtimet kronike pacienti ankon dhimbje sidomos gjatë lëvizjes së gjurit (përthyerje-shtirje) si dhe gjatë sforcimeve të stërvitjes. Po ashtu kur shtypet me gisht tendini shkaktohet dhimbje. është tipike dhimbja që shfaqet kur pacienti qëndron ulur me gjunjët e përthyera për një kohë të gjatë dhe më pas ngrihet në këmbë. Shpesh kjo patologji krijon edhe kalcifikime të vogla në vendin e lidhjes së tendinit me kockën. Në dëmtimin akut të tendinit, pacienti ndjen nje “krak”, dhimbje shumë të fortë dhe mungesë të forcës në gju. Lëvizja e shtrirjes së gjurit është plotësisht e pamundur dhe kupa e gjurit e cila në pjesën e poshtme të saj ishte e kapur me tendinin, ngjitet disa centimetra sipër gjurit duke dalë nga pozicioni i saj natyral.
Diagnoza: Në dëmtimet kronike (tendinoza) anamneza e pacientit na çon drejt një kuadri të një dëmtimi gradual të tendinit dhe një egzaminim i kujdesshëm konfirmon edhe një defiçit funksional. Janë shumë të nevojshme edhe rezonanca manjetike dhe egzaminimi ekografik.

Në rupturën akute, lloji i traumës, simptomatologjia që ankon pacienti dhe egzaminimi objektiv mjaftojnë për të vënë një diagnozë të saktë. Sidoqoftë është e nevojshme të kryhet edhe një rezonancë manjetike për të vlerësuar llojin e dëmtimit dhe për të planifikuar ndërhyrjen kirurgjikale.
Terapia: është konservative në dëmtimet kronike. Gjuri duhet të mbahet pushim, të mos sforcohet, cikle fizioterapie (tecar, hipertermi) dhe në rastet e rënda që kanë kalçifikime mund te jenë efikasë terapia me “valë goditëse” (onde urto). është e këshillueshme edhe një gjimnastikë e lehtë në pishinë.
Rikthimi i pacientit në aktivitetin e tij sportiv bëhet i mundur vetëm kur dhimbjet janë larguar edhe gjatë sforcimit. Ndonjëherë mund të japë një farë rezultati edhe përdorimi i plantarëve pë posaçëm, pasi një prej shkaqeve të mundshme të dëmtimit kronik të tendineve është edhe mbështetja e gabuar e këmbës në tokë. Në rupturën akute, trajtimi kirurgjikal duhet kryer sa më shpejt të jetë e mundur dhe nënkupton qepjen e patelës me tendinin sipas metodave të ndryshme. Mund të kryhen edhe përforcime të tendinit duke përdorur tendine të muskujve të tjerë (tendini i tensorit të fascia lata, muskulit gracilis etj.).