SPINA KALKANEARE

Me emrin “talalgji plantare” apo “talonit” përcaktohet një patologji akute ose kronike e thembrës së këmbës. Shkaqet e mundshme janë:

♦ Patologjia e indeve të buta (fashit, borsit, tendinit)
♦ Patologjia e indit kockor (fraktura, speroni kalkanear)

Midis shkaqeve të patologjisë mund të përmëndim ndryshimet posturale të cilat modifikojnë aksin podalik duke shkaktuar një sindromë nga mbi-ngarkesa, deformimet e këmbës dhe të thembrës (mbi të gjitha këmba me hark), këpucët e papërshtatshme, fraktura të mëparshme etj. Sportet më të rrezikshme janë ato që ushtrojnë nje forcë shtypëse në nivel të kalkaneus si basketbolli, futbolli, vrapi.
Një nga shkaqet më të shpeshta të dhimbjes së thëmbrës së këmbës është e ashtuquajtura spina ose speroni i kalkaneusit, një dalje e kockës si majë në pjesën e poshtme të kalkaneusit. Ky speron formohet për difekte posturale ose të mbështetjes së këmbës, për mikrotrauma frekuente (atletë, futbollistë, etj), për shkaqe gjenetike ose idiopatike, për mbipeshë. Janë të prekur më tepër meshkujt pasi kryejnë më shumë aktivitet fizik dhe punë të rënda.

Simptomat: dhimbje në thembër të këmbës kur mbështetet në tokë, vështirësi në kryerjen e aktivitetit sportiv dhe nganjëherë fryrje në zonën e prekur.
Pacienti shpesh referon që dhimbja shtohet kur përdor disa lloje këpucësh ose edhe kur ecën zbathur. Dhimbja zvogëlohet kur pacienti pushon shtrirë në shtrat.

Diagnoza: Radiografia vë në dukje speronin kalkanear mbi të gjitha në projeksion lateral. Kur radiografia nuk vë në dukje këtë spinë kockore rakomandohet të bëhet një ekografi e indeve të buta të thëmbrës, pasi mund të dyshohet edhe një fashit plantar.

Terapia: përdorimi i plantarëve të posaçëm midis këmbës dhe këpucës që të shkarkohet ngarkesa e trupit në pjesët e tjera të këmbës duke e reduktuar kështu peshën mbi thembër, barna anti-infiamatorë, cikël fizioterapie me tecar, hipertermi, ultratinguj në ujë.
Në ato raste kur trajtimi i mësipërm nuk jep efekt, është e këshilluar përdorimi i “onde urto”.

Këshillohet gjithashtu që pacienti të bjerë në peshë nëse është nevoja.
Terapia infiltrative me kortizon duhet të kufizohet në raste të rralla kur trajtimi konservativ nuk ka dhënë rezultat.
Infiltracionet me kortizon pas një periudhe përmirësimi mund të keqësojnë akoma më tepër gjëndjen e pacientit pasi shton rrezikun e mikrokalçifikimeve (precipitim i kortizonit). Terapia kirurgjikale është e kufizuar vetëm për një përqindje të vogël të pacientëve që kanë provuar të gjitha terapitë e sipër-përmendura. Operacioni konsiston në heqjen e spinës së kalkaneusit me një çarje laterale.

ARTIKUJ TE NGJASHEM: