Legamenti kolateral medial (LKM) dhe ligamenti kolateral lateral (LKL) janë dy struktura të tendosura nga kocka e femurit tek kocka e tibias ne anën e brendshme dhe të jashtme të gjurit. Funksioni i tyre është të ndalojnë ose të paktën të kufizojnë zhvendosjen e kockave të femurit dhe tibias kur këmba perthyhet nga jashtë ose brënda.

Dëmtimet: Bëhet fjalë për një dëmtim shumë të shpeshtë pas një traume përdredhëse (shpesh edhe të thjeshtë) kur përthyhet gjuri nga jashtë ose nga brënda. Ky lloj dëmtimi provokohet nga një traumë laterale ose nga një rrëzim në tokë me këmbët e hapura; në dëmtimet e legamentit kroçat anterior shpesh përfshihen pak a shumë edhe legamentët kolateral. LKM dëmtohet më lehtë se LKL pasi ky i fundit është më elastik dhe i mbrojtur nga strukturat muskulare periferike.
Simptomat: Një dëmtim i grades I do të thotë vetëm një tërheqje e fibrave të ligamentit me dhimbje në pjesën e brëndshme ose të jashtme të gjurit (sipas legamentit të përfshirë), pa shenja klinike instabiliteti. Në dëmtimin e gradës II legamenti është pjesërisht i këputur me dhimbje të forta në lëvizjet e gjurit dhe shenja fillestare të instabilitetit.
Në dëmtimet e grades III, këputja e legamentit është pothuajse e plotë me shenja të dukshme të instabilitetit. Kuadri i përgjithshëm simptomatologjik është i karakterizuar nga dhimbje e fortë në prekje dhe kur gjuri përthyhet ose shtrihet plotësisht. Dhimbja pakësohet me gjurin gjysëm të përthyer (30°) pasi në këtë pozicion ligamentet janë në të ashtuquajturën gjendje pushimi.
Diagnoza: Diagnoza kryesisht është klinike; pacienti qëndron zakonisht me gjurin gjysëm të përthyer. Kur shtypet me gisht në inserimin proksimal apo distal të ligamentit, shfaqet dhimbje e fortë, akute. Manovrat e “valgo-stress” dhe “varo-stress” na japin informacion nëse ligamentet kanë pësuar një dëmtim të fortë dhe me instabilitet artikular si rrjedhojë. Rezonanca manjetike është e nevojshme për të vlerësuar më mirë gradën e dëmtimit dhe për të diagnostikuar edhe dëmtime të tjera të mundshme. Në dëmtimet kronike dhe të lëna pas dore të LKM nganjëherë është e mundur të shfaqet sindroma e “Pellegrini-Stieda” që karakterizohet nga kalçifikim i insercionit femoral të legamentit në fjalë.
Terapia: Në dëmtimet e gradës së I zakonisht duhet që gjuri të mbahet në pushim për disa ditë (duke përdorur edhe paterica), borsa me akull mbi gju disa herë në ditë dhe mediakmente anti-infiamatore. Më pas pacienti duhet të kryejë fizioterapi me aparate si tecar, ipertermi, lazer dhe gjimnastikë në ujë. Në dëmtimet e gradës II është e këshillueshme të bllokohet gjuri me aparat me gips-resina ose me tutor të artikuluar dhe të bllokuar në pozicionin 30° për rreth 15 ditë, më pas duhet vazhduar programi rehabilitues. Përsa i përket dëmtimeve të grades III, është e mundur të kryhet ndërhyrje kirurgjikale e cila parashikon qepjen dhe rinforcimin e ligamentit. Teknikat e përdorura janë të shumta dhe varen nga eksperienca personale e kirurgut. Në të gjitha rastet dhe pavarësisht nga lloji i trajtimit të kryer, objektivi kryesor dhe final është rikthimi i stabilitetit të gjurit me një ligament elastik dhe pa reaksione fibrotike të dhimbshme.