Si çdo artikulacion tjetër edhe bërryli mund të preket nga artroza, pra sëmundja degjenerative e kërcit. Faktorët që shkaktojnë këtë sëmundje janë të shumtë: traumat si frakturat apo luksacionet, sëmundje sistemike (artriti reumatoid, psoriaza etj.) punë krahu të rënda që përdorin lëvizjen e bërrylit shumë, sportistë që kryejnë body-building.
Simptomat: shpesh tolerohet mirë nga pacienti dhe kufizimi i lëvizjes mund të jetë i vogël fillimisht.
Dhimbja mund të jetë e pranishme gjatë aktivitetit të përditshëm dhe në veçanti në “fund të lëvizjes” (në maksimumin e shtrirjes dhe maksimumin e përthyerjes së bërrylit).
Diagnoza: gjatë egzaminimit klinik bërryli paraqet zakonisht një defiçit në shtrirje, i shoqëruar edhe me dhimbje kryesisht në pjesën e pasme. Nganjëherë mund të ketë edhe neuropati të nervit ulnar. Radiografia paraqet shenjat e një vuajtje artikulare si osteofite, ndryshime të kërcit, prania e fragmenteve të lira. Mund të jetë e nevojshme edhe rezonanca manjetike nukleare.
Terapia: artroskopia ka revolucionuar këto vitet e fundit edhe trajtimin e artrozës së bërrylit. Kryhet pastrimi i indeve të humerusit dhe të ulnës dhe rekuperimi është shumë i shpejtë, pa dhimbje dhe me shumë rezultat.
Me anë të kësaj ndërhyrje kryhet edhe heqja e fragmenteve të lira në artikulacion si dhe i osteofiteve (majëza kockore) që janë tipike të artrozave dhe që pengojnë lëvizjen e bërrylit.
Në ato raste kur nuk është e mundur të kryhet kirurgjia artroskopike, mund të zëvendësohet kërci i dëmtuar i pacientit me nje membranë (zakonisht i fashës lata) që merret në zonën e kockës: ky “jastëk” bën të mundur lëvizjen e bërrylit pa dobësuar shumë forcën e krahut.
Mundësia e tretë është proteza e bërrylit.
Megjithëse ky operacion po jep rezultate gjithmonë e më të mira preferohet të bëhet në rastet e pacientëve të vjetër në moshë.