NEUROMA E MORTON

Neurinoma apo neuroma e Morton, është një nga shkaqet më të shpeshta të metatarsalgjisë, dhe i dedikohet një dëmtimi degjenerativ të një apo më shumë nervave intermetatarsalë plantarë. Origjina e një dëmtimi të tillë i atribuohet disa patologjive, deformimeve apo variacioneve anatomike të pjesës së përparme të këmbës si bursiti reaktiv, hiperekstension i artikulacionit metatarso falangeal, trashje e legamentit metatarsal si dhe përdorimi i këpucëve të ngushta në majë. Prek më shpesh hapësirën e tretë intermetatarsale dhe më rrallë të dytën.
Simptomat: Pacienti referon një dhimbje të lokalizuar në shputën e këmbës midis metatarsit të dytë dhe të tretë, të irradiuar në gishta.
Dhimbja është e mprehtë apo si sensacion korrenti dhe mund të jetë e pranishme edhe në qetësi. Shpesh dhimbja acarohet gjatë ecjes me këpucë të ngushta ose takë të lartë sidomos tek femrat.

Diagnoza: Me vizitë mund të evidentohet një fryrje e vogël në nivelin e hapësirës intermetatarsale të prekur që shoqërohet me atrofi të indit dhjamor plantar dhe shenja sinoviti.
Studimi radiologjik shërben për të përjashtuar deformimet kockore, ndërsa për të saktësuar diagnozën vendimtare janë rezonanca magnetike dhe ekografia.
Terapia: Dhimbjet mund të qetësohen nga injektimi lokalisht i kortizonikëve me anestetikë lokalë.
Terapia konservative fillon duke këshilluar përdorimin e këpucëve komode të shoqëruara me suport plantar me shkarkim metatarsal të vendit të interesuar. Nëse terapia konservative nuk funksionon indikohet interventi kirurgjikal i neurolizës (çlirimi i nervit nga komprimimi i indeve përreth). Prognoza është përgjithësisht e mirë pas interventit.

ARTIKUJ TE NGJASHEM: