FRAKTURAT E BRINJËVE

Shpesh janë pasojë e traumave të drejtpërdrejta të murit torakal. Në rastet më të rënda brinjët e thyera mund të shkaktojnë dëmtim të indeve përreth, gjë që çon në rëndim të mëtejshëm të kuadrit klinik, duke shkaktuar pneumotoraks (prani e ajrit të lirë në hapësirën pleurale) ose hemotoraks (prani e gjakut në hapësirën pleurale).
Frakturat e shumëfishta të brinjëve mund të shkaktojnë lëvizje jonormale të kafazit të kraharorit, të njohura si frymëmarrje “paradoksale”, që mund të çojnë në pamjaftueshmëri të frymëmarrjes. Sigurisht shkaku kryesor i frakturave të brinjëve është trauma e drejtpërdrejtë, por në persona të moshuar me osteoporozë nganjëherë brinjët mund të thyhen edhe nga trauma fare të lehta (teshtimat, kollitjet e forta).

Simptomat: pacienti ndjen dhimbje të menjëhershme të fortë. Dhimbja, e cila mund të zgjasë edhe 30-40 ditë, theksohet gjatë frymëmarjes dhe në pozicion shtrirë. Çdo episod kolle apo teshtimash e acaron shumë atë. Prania e vështirësisë në frymëmarrje, me ndjenjën e “etjes për ajër” të bën të mendosh për një ndërlikim pleural të frakturës.
Diagnoza: ekzaminim klinik dhe radiografik në dy projeksione. Nganjëherë frakturat minimale nuk duken që në fillim, prandaj këshillohet gjithmonë që të kryhet një studim i ri radiografik 5-7 ditë pas traumës.

Trajtimi: Është simptomatik dhe bazohet në përdorimin e barnave analgjezikë për kontrollin e dhimbjeve. Pozicioni më i mirë gjatë natës është ai “gjysmë ndenjur”, me vendosjen e disa jastëkëve poshtë shpinës. Opinionet janë të ndryshme, por përgjithësisht nuk këshillohet përdorimi i fashaturave të gjoksit.

ARTIKUJ TE NGJASHEM: