FRAKTURA E KLAVIKULËS

Është një nga frakturat më të shpeshta. Në 85% të rasteve ndodh në pjesën qëndrore të klavikulës (një e treta e mesme) dhe është më e shpeshtë tek meshkujt. Tek të rriturit përgjithësisht janë pasojë e aksidenteve sportive apo rrugore dhe shkaktohen nga goditje të drejtpërdrejta. Tek të porsalindurit dëmtime të tilla janë të lidhura me lindjet e vështira, tek fëmijët shpesh janë fraktura jo të plota (të tipit të degës së njomë), ndërsa tek të moshuarit lidhen me problemet osteoporotike.
Simptomat: është e pranishme një dhimbje dhe deformim (nëse është fjala për frakturë të shpërbërë) të regjionit të klavikulës. Pacienti përgjithësisht e imobilizon shpatullën e anës së dëmtuar, duke e kapur krahun e dëmtuar me dorën tjetër.
Lëvizjet artikulare janë të kufizuara dhe dhimbja në zonën e dëmtuar është shumë e fortë.
Tek fëmija dhimbja shpesh është jo e fortë, mbase edhe për faktin që frakturat shpesh janë jo të plota (të tipit të degës së njomë).
Diagnoza: studimi radiografik thuajse gjithmonë është konkluziv. Nganjëherë bëhet e nevojshme kryerja e një rezonance magnetike, për vlerësimin e dëmtimeve shoqëruese të pjesëve të buta të shpatullës. Radiografitë duhen përsëritur çdo 7 ditë, për të vlerësuar evolucionin e frakturës.

Terapia: përgjithësisht është konservative, me përdorim të një tutori tërheqës, që kapet mbi të dy shpatullat dhe lidhet nga mbrapa me lidhëse. Një tip i tillë imobilizimi shërben për tërheqjen e fragmenteve të frakturës dhe për drejtimin e sipërfaqeve të tyre drejt njëra-tjetrës. Ky tutor mbahet për rreth 30 ditë. Në rastet kur fraktura është e e shpërbërë në shumë fragmente ose kur bëhet fjalë për fraktura të korrigjuara jo mirë, është e nevojshme kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale. Mjetet e sintezës të përdorura janë të shumëllojshme dhe përzgjedhja e tyre varet nga zgjedhja e mjekut. Përgjithësisht përdoren pllaka titani me vida.

ARTIKUJ TE NGJASHEM: