Tek të rinjtë dhe të rriturit, dhimbjet dhe kufizimet funksionale të shkaktuara nga një problem i kërcit janë shumë të shpeshta. Mbi të gjitha kush kryen sporte si futboll, basketboll, ski, atletikë, ka rrezik të konsumimit të parakohshëm të kërcit. Dëmtohen në mënyrë të veçantë sipërfaqet artikulare të kondileve femorale (më shumë ai medial) dhe sipërfaqja e kontaktit midis kupës së gjurit dhe femurit. Shkaqet janë jo vetëm predispozicioni mekanik i lindur dhe i fituar gjatë jetës por edhe traumat e vogla të sportit.
Për shembull, nëse një fëmijë fillon shpejt një sport me intensitet të lartë për moshën e tij është një nga shkaqet që përshpejtojnë proçesin e degjenerimit të kërcit.
Simptomat: mund të jetë pa simptoma, por zakonisht shfaqet me dhimbje në zonën e përparshme të gjurit, e cila shtohet gjatë aktivitetit fizik dhe vazhdon edhe pas aktivitetit. Pacienti ndjen dhimbje të fortë kur ngjit por sidomos kur zbret shkallët, kur përpiqet të qëndrojë në këmbë pasi ka ndënjur shumë kohë i ulur (p.sh. në kinema). Dhimbja është shpesh më e fortë pasi përfundohet aktiviteti sportiv se sa gjatë tij, dhe ndonjëherë mund të ketë edhe versament (grumbullim lëngu në gju) me kufizim të lëvizjes artikulare.
Diagnoza: është përgjithësisht klinike me një vizitë të detajuar dhe skrupuloze për të vlerësuar simptomat që çojnë në një diagnozë të saktë. Egzaminimet që duhen kryer janë rezonanca manjetike dhe radiografia për vlerësimin e strukturave artikulare dhe komponentet e ndryshme të kockave. Veçanërisht duhet bërë kujdes në kongruencën delikate midis kupës së gjurit dhe femurit, zonë e cila është më e predispozuar për të zhvilluar një patologji të tillë.
Terapia: Fillimisht bazohet në terapinë me ilaçe anti-infiamatore (NSAID ose kortizonikë) dhe në fizioterapi (tecar, hipertermi). Në një fazë të dytë nëse terapia konservative nuk jep rezultate mund të kryhen infiltracione në gju. Përdorimi i infiltracioneve brenda artikulacioneve këto vitet e fundit ka marrë një zhvillim të madh edhe nga zbulimi i ilaçeve të reja. Acidi hialuronik, për shembull, ka patur këto vitet e fundit një përmirësim të dukshëm biologjik dhe biokimik; terapia me këtë acid, i cili është një kostituent natural i organizmit tonë parashikon një cikël prej 3 ose 5 infiltracionesh (një herë në javë). Mund të përdoret sipas rastit acid hialuronik me peshë të lartë ose të ulët molekulare, i pari penetron më lehtësisht në brëndësi të indit kartilagjinoz, ndërsa i dyti do të japë një rezultat mekanik më të mirë. Nganjëherë mund të bëhen infiltracione me kortizon i cili këshillohet nëse terapia me acid hialuronik dështon dhe në pacientë mbi 50 vjeç.
Kur kondropatia është e gradës së rëndë, ose kur është rezistente ndaj terapive konservative mund të kryhet një ndërhyrje kirurgjikale. Kjo proçedurë kryhet me artroskopi dhe parashikon pastrimin e kërcit dhe eventualisht ripërtëritjen e tij. Sipas rasteve teknikat e përdorura janë të shumta dhe janë: kondroablacioni me radiofrekuencë, perforacionet osteokondrale, transplanti i kondrociteve autologe, vendosja e materialeve biologjikisht të përshtatshëm, etj.