LEGAMENTI KRUCIAT ANTERIOR (LKA)

Ruptura (këputja) e legamentit kroçat anterior është një traumë shumë e shpeshtë sidomos tek personat që kryejnë aktivitet sportiv qoftë amatorial e qoftë profesionist, zakonisht tek të rinjtë por mund të ndodhë edhe tek personat e njëfarë moshe apo fëmijët që praktikojnë atletikë. LKA është një nga strukturat më të rëndësishme që stabilizojnë gjurin pasi ndalon në fakt zhvendosjen e tibias përpara femurit. Zakonisht dëmtimi më i shpeshtë vjen kur rrotullohet gjuri me drejtim nga brënda jashtë kur këmba është e mbështetur mbi tokë.
Lloji i dëmtimit është i lidhur me intensitetin e traumës dhe për këtë arsye mund të kemi një rupturë të pjesshme ose të plotë. Në traumat e rënda ruptura e LKA shoqërohet shpesh edhe me një ose disa dëmtime të tjera si legamenti kolateral medial, menisku medial apo lateral. është për të vënë në dukje se si dëmtime të tilla ndodhin shpesh edhe tek atletë profesionistë të nivelit të lartë që kanë masa muskulare të mëdha dhe përgatitje atletike shumë të mirë.
Simptomat: Kur kemi vetëm këputje të LKA (pa përfshirjen e strukturave të tjera si menisqet dhe legamentet kolateralë), pacienti ndjen sikur diçka është këputur apo sikur ka dalë nga vëndi e shoqëruar me një zhurmë të vogël si “krak”. Dhimbja mund të jetë minimale, por menjëherë më vonë pacienti ka ndjesinë e mungesës së stabilitetit dhe vështirësi në lëvizje me kufizim artikular.

Nganjëherë atleti provon të vazhdojë aktivitetin sportiv por e kupton që diçka në brëndësi të gjurit të tij ka ndryshuar dhe përfundimisht është i detyruar të ndalet. Në orët e mëtejshme artikulacioni mund të fryhet nga çarja e një arterie të vogël që ndodhet brënda legamentit. Nëse ruptura e ligamentit nuk është shoqëruar edhe me dëmtime të strukturave të tjera të gjurit shpesh nuk ka dhimbje dhe shpejt fillon reduktimi i masës muskulare i shkaktuar nga një alteracion i funksionimit të artikulacionit të gjurit. Personi ka një ndjenjë jo-stabiliteti të gjurit sidomos gjatë rrotullimeve dhe gjatë ndryshimit të menjëhershëm të drejtimit të vrapit.

Diagnoza: Bazohet në anamnezën e pacientit rreth aksidentit dhe nga egzaminimi objektiv i kryer nga specialisti. Ndonjëherë është e nevojshme të kryhet një artrocenteze (aspirim i lëngut në gju me shiringë). Shpesh manovrat klinike të vlerësimit pengohen nga kontraktimi muskular i pacientit, e për këtë arsye jo gjithmonë është e lehtë të vihet një diagnozë klinike menjëherë pas traumës. Me radiografinë e gjurit mund të vlerësohet nëse ka ndonjë dëmtim të kockës por egzaminimi më i sigurt për të vënë diagnozën është rezonanca manjetike nëpërmjet së cilës mund të vlerësohen qoftë ruptura e legamentit kroçat dhe qoftë dëmtimi i strukturave të tjera të gjurit.

Legamenti kroçat normal Legamenti kroçat i këputur

Terapia: varet nga simptomat e pacientit dhe nga egzigjencat e tij për aktivitetin sportiv. Për personat që dëshirojnë ti kthehen aktivitetit sportiv si dhe ata që dëshirojnë ti kthehen një jete normale është e këshilluar ndërhyrja kirurgjikale për rikostruksionin e legamentit kroçat. Nëse legamenti nuk operohet instabiliteti i gjurit i shkaktuar nga ruptura e tij shkakton dëmtime të rënda sipërfaqeve kartilaginoze (kërcit) dhe menisqeve. Dëmtime këto që me kalimin e viteve mund të çojnë në një artrozë të gjurit, patologji e rëndë e artikulacioneve.
Ndërhyrja kirurgjikale duhet përballuar duke patur parasysh që rehabilitimi pas operacionit është i gjatë. Mund të thuhet se mbarëvajtja e këtij operacioni varet 30% nga kirurgu, 30% nga fizioterapia dhe 40% nga impenjimi i pacientit. Teknikat e operacionit janë të ndryshme dhe bëhet fjalë për një operacion shumë preçiz.
Ndërhyrja kirurgjikale duhet kryer me kujdes të veçantë dhe suksesi i rekuperimit të plotë varet nga preçizioni me të cilin vendoset legamenti i ri në vënd të legamentit të këputur. Nëse kemi edhe dëmtim të meniskut mund të riparohet njëkohësisht.

Dy janë teknikat më të përdorura aktualisht që kanë edhe rezultatet më të mira për rikostruksionin e legamentit kroçat.

1. Teknika me tendinin e patelës (kupës së gjurit):
Bëhet fjalë për heqjen e pjesës qëndrore të tendinit patelar bashkë me dy copa kocke (një nga tibia dhe tjetra nga patela) me gjatësi rreth 10 cm dhe gjerësi rreth 10 mm (prerja në lëkurë me cikatrice 8 cm). Kjo pjesë tendini e hequr fiksohet me materiale të bio-absorbueshme nëpërmjet një tuneli që përshkon kockën e tibias dhe përfundon tek kocka e femurit.

Figura tregon përgatitjen e tendinit të patelës (kupës së gjurit).

2. Operacioni me tendinet e muskujve semitendinoz dhe gracil:

Tendinet e muskujve semitendinoz dhe gracil zbresin nga pjesa e pasme e kofshës dhe vijnë e fiksohen tek tibia në pjesën e përparme të saj.

Tendinet e muskujve semitendinoz dhe gracil Heqja e këtyre dy tendineve nuk u shkakton ndonjë dëm të dukshëm muskujve dhe funksionimit të tyre. Prerja e lëkurës është më e vogël (2-3 cm) edhe me një avantazh estetik sidomos për femrat. Tendinet palosen 2 herë dhe qepen e lidhen midis tyre. Ky legament i ri futet në tunelin e hapur tek kocka e tibias dhe përfundon tek kocka e femorit duke u fiksuar në të dy skajet me materiale të bio-absorbueshëm. Rezistenca e legamenteve me të dy teknikat është pothuajse e njëjtë. Gjatë operacionit nëse është e nevojshme mund të trajtohen dhe patologjitë e shoqëruara me dëmtimin e legamentit si dëmtimet meniskale dhe kartilagjinoze.
Menjëherë pas operacionit është e këshillueshme te kryhen lëvizje te kaviljes me qëllim që të përmirësohet qarkullimi i gjakut të këmbës duke patur kujdes që të mos përdoret asnjë mbështetje poshtë gjurit, por eventualisht vetëm ne pjesën e poshtme të pulpës së këmbës.
Mund të kryhen ushtrime duke kontraktuar muskulin kuadriceps në mënyrë izometriche duke e mbajtur kontraktimin për 10-15 seconda dhe duke e përsëritur disa herë gjatë ditës. Pasi del nga klinika pacienti duhet të kryejë fizioterapi dhe trajtim farmakologjik me qëllim që të reduktojë rrezikun e komplikimeve, disa prej të cilave janë paraqitur më poshtë.

Tabelë përmbledhëse për kohën e rekuperimit post-operator :

Fillim i ecjes me ngarkesë të plotë 2 ditë
Heqje e penjve dhe fillim i fizioterapisë 15 ditë
Heqje e tutorit për gjurin 24/28 ditë
Autorizim i mjekut për të ngarë 24/28 ditë
Fillimi i aktivitet sportiv të kontrolluar (vrap)  60 ditë