Çarjet e këllëfit të muskujve rrotullues përfaqësojnë dëmtimet më të shpeshta tendinoze nën lëkurë. Shpeshtësia e shfaqjes së këtij problemi rritet shumë me kalimin e moshës. Zakonisht janë përfundim i ecurisë së sindromës nga fërkimi. Mund të jenë simptomatike, me dhimbje dhe kufizim të lëvizjeve, ose asimptomatike.
Simptomat: Simptomat që mbizotërojnë kuadrin klinik janë dhimbja dhe pamundësia për kryerjen e lëvizjeve. Gjatë lëvizjeve të fleksionit dhe abduksionit të krahut, çarjet e tendinit të muskulit supraspinat mund të shkaktojnë dhimbje më të forta se çarjet/këputjet e tendineve të muskujve të tjerë. Pacienti ka vështirësi në ngritjen e krahut mbi 90°.
Diagnoza: Si edhe për sindromat nga fërkimi, bazohet, përveç ekzaminimit objektiv, në ekzaminimet ekografike dhe kryesisht, në Rezonancën Magnetike Nukleare. Edhe një radiografi e thjeshtë mund të jetë e vlefshme për përcaktimin e profilit anatomik kockor të strukturave që ekzaminohen.
Terapia: Në rastet kur pacienti ka dhimbje të forta ose ka kufizime të shprehura të lëvizshmërisë së krahut, trajtimi është vetëm me kirurgji. Rikonstruksioni i këllëfit mund të kryhet me artroskopi ose me ndërhyrje të hapur. Përparësia kryesore e riparimit artroskopik është që ajo nuk bën dizinserim të muskulit deltoid, gjë që do të thotë që pacienti e fillon shpejt aktivizimin pas operacionit. E meta kryesore është fakti që riparimi artroskopik është i vlefshëm kryesisht për dëmtimet e vogla, në të cilat “materiali” tendinoz është akoma në gjendje të mirë. Pas ndërhyrjeve për qepjen e këllëfit, pacienti bën aktivizim pasiv të hershëm.