TE NDRYSHME

1. Dëmtimet e labrumit acetabular

Labrumi acetabular është një strukturë fibro-kartilagjinoze që rrethon bordin e acetabulit. Kjo strukturë luan një rol të rëndësishëm për të mbajtur një presion negativ brënda artikulacionit duke garantuar kështu stabilitetin e kyçit të këllkut. Po ashtu luan edhe rolin e një guarnicioni që pengon daljen e likidit sinovial nga artikulacioni duke mbrojtur në këtë mënyrë shtresën e kërcit artikular.
Labrumi së fundi pengon edhe spostimin lateral dhe vertikal të kokës së femurit. Dëmtimi i labrumit acetabular përfaqëson 90% të problemeve që vërehen në artroskopinë e artikulacionit kokso-femoral. Shkaqet kryesore të dëmtimit të labrumit acetabular janë 5: traumat, konflikti femoro-acetabular, laksiteti kapsular, displazia e këllkut dhe artroza. Simptomatologjia shfaqet me dhimbje gjatë lëvizjeve, bllokim artikular, vështirësi në ecje, versament artikular. Diagnoza e dëmtimeve të labrumit është mbi të gjitha klinike në analogji me patologjitë meniskale të gjurit.
Është e nevojshme edhe rezonanca manjetike e cila shërben për të konfermuar dyshimin klinik dhe për diagnozën diferenciale. Kirurgjia artroskopike bën të mundur stabilizimin e funksionimit normal të artikulacionit të dëmtuar duke eleminuar kështu dhimbjen e provokuar nga çarja e labrumit.

2. Konflikti femoro-acetabular (FAI)

Është një patologji që vërehet gjithmonë e më shpesh në sajë të përmirësimit të njohurive anatomo-patologjike dhe përdorimit të egzaminimeve klinike dhe radiologjike të sofistikuara. Konflikti femoro-acetabular vjen si rezultat i kontaktit anormal midis pjesës proksimale të femurit dhe acetabulit dhe mund të shkaktojë patologji intra-artikulare si dhe artrozën e këllkut. Egzistojnë dy lloje konflikti femoro-acetabular: tipi Cam dhe tipi Pincer.
Konflikti i tipit Cam vjen si rezultat i kontaktit midis acetabulit dhe një lidhje anormale e qafa-koka e femurit. Vërehet shpesh tek pacientët e moshave të reja të seksit mashkull të cilët kryejnë aktivitet sportiv. Ky konflikt gjatë përthyerjes së këllkut shkakton gërryerjen e kërcit dhe të labrumit glenoid në pjesën antero-superiore të acetabulit.
Konflikti i tipit Pincer vërehet më shpesh tek gratë e moshës së mesme dhe provokohet nga një anomali morfologjike e acetabulit e cila çon në një dëmtim të labrumit të këtij të fundit për shkak të konfliktit midis acetabulit dhe qafës së femurit. Trajtimi me anë të kirurgjisë artroskopike parashikon re-inserimin apo prerjen e labrumit acetabular të dëmtuar duke e shoqëruar edhe me osteoplastikën femorale në rastin e konfliktit të tipit Cam, ose me heqjen e pjesëshme të bordit acetabular në rastin e konfliktit të tipit Pincer.

3. Fragmentet e lira dhe dëmtimet kondrale

Fragmentet e lira mund të shkaktohen nga një apo disa trauma (rënia në tokë e pacientit duke u përplasur mbi zonën e trokanterit të madh me trasmetim të forcës goditëse në brendësi të artikulacionit të këllkut duke shkaktuar kështu shkëputjen e copave të kërcit). Fragmentimi i kërcit artikular ndodh zakonisht tek meshkujt e rinj të cilët praktikojnë sporte të rënda me impakt të fortë tek kocka e trokanterit të madh. Kjo traumë mund të shkaktojë fragmentimin e kërcit artikular në të gjithë shtresën e tij në nivelin e zonës mediale të kokës së femurit ose zbutjen e kërcit në zonën supero-mediale të acetabulit. Fragmentet e lira shkaktojnë dhimbje pas traumave dhe në disa raste shtim të simptomatologjisë në prani të artritit degjenerativ.

Fragmentet e lira mund të gjenden tek pacientët e prekur nga kondromatoza sinoviale (këllku është artikulacioni i tretë që preket më shpesh nga kjo patologji) dhe tek këta pacientë shpesh diagnoza mbetet e panjohur para operacionit të artroskopisë. Fragmente osteo-kartilagjinoze të lira mund të vërehen së fundi edhe tek pacientët e prekur nga sëmundja e Legg-Calve-Perthes. Prania e fragmenteve të lira endo-artikulare përfaqëson indikacionin më evident të operacionit të artroskopisë.

4. Këllku kërcitës

Egzistojnë dy tipe këllku kërcitës, i jashtëm dhe i brëndshëm, që mund të shfaqen me të njëjtën simptomatologji por që kanë nevojë për trajtime të ndryshme.
– këllku kërcitës i brendshëm: provokohet nga një lëvizje anormale e tendinit të muskulit ileo-psoas sipër kapsulës artikulare dhe kokës së femurit dhe shkakton një kërcitje që dëgjohet lehtësisht, të shoqëruar me dhimbje. Pacienti mund të ndiejë kërcitjen kur përthyen dhe shtrin këllqet.

Kjo patologji mund të trajtohet me artroskopi duke prerë fibrat tendine të muskulit ileo-psoas me sondën e radiofrekuencës.

– këllku kërcitës i jashtëm: provokohet nga rrëshkitja e fashës ileo-tibiale sipër trokanterit të madh dhe shkakton një kërcitje që nganjëherë shoqërohet me dhimbje. Kjo situatë favorizohet nga trashja e pjesës së pasme të fashës ileo-tibiale.
Bursa trokanterike që ndodhet ndërmjet fashës ileo-tibiale dhe insercionit kockor të muskulit gluteus medio dhe vasto lateral mund të infiamohet si pasojë e fërkimit të vazhdueshëm dhe shkakton dhimbje.
Me teknikën e artroskpisë është e mundur të kryhet një çlirim ose plastikë në formë “Z-je” të fashës ileo-tibiale me eleminimin e plotë të dhimbjes.

5. Ruptura e legamentit rotond

Roli i këtij legamenti mbetet një enigmë i cili bashkë me arterien e tij kontribuon në vaskularizimin e epifizës tek fëmijët. Tek të rriturit ky funksion është më pak i rëndësishëm dhe legamenti kontribuon vetëm shumë pak për të garantuar stabilitetin e artikulacionit, por mendohet se ka efekt lubrifikues dhe ushqyes të sipërfaqes artikulare. Ruptura (këputja) e këtij legamenti është dëmtimi i tretë si shpeshtësi tek atletët dhe zgjidhet në mënyrë të shkëlqyer me anë të artroskopisë. Vetëm 8% e rasteve me rupturë të legamentit rotond mund të diagnostikohet me anë të egzaminimeve pre-operatore si rezonanca manjetike. Në përgjithësi ruptura e legamentit rotond vjen pas distorsionit të këllkut. Në rastet e artikulacionit kokso-femoral me displazi legamenti rotond është hipertrofik, gjë që rrezikon akoma më tepër rupturën me pasojë dhimbjet.

7. Sëmundje sinoviale (kapsula që mbështjell artikulacionin)

Ashtu si për artikulacionet e tjera, sinoviektomia artroskopike ka një rol shumë të rëndësishëm edhe tek artikulacioni kokso-femoral.

Egzistojnë një sërë sëmundjesh sinoviale si artroza infiamatore, osteokondromatoza sinoviale, sinoviti villonodular i pigmentuar dhe artropati hemofilike. Dëmtimet sinoviale mund të jenë të tipit të lokalizuar apo të përhapura në të gjitha kyçet. Dëmtimet e lokalizuara vijnë nga pulvinari i gropës acetabulare. Pulvinari normalisht është i përbërë nga indi dhjamor i mbuluar nga membrana sinoviale dhe ndodhet mbi legamentin rotond në brendësi të gropës acetabulare.
Dëmtimet e kësaj zone janë shumë të dhimbshme dhe mund të zgjidhen me anë të debridment artroskopik.
Artriti reumatoid është më i shpeshti midis artriteve infamatore.

Sinoviektomia këshillohet në rastet e dhimbjeve shumë të forta që nuk kanë gjetur shërim me trajtime konservative si ndryshimi i aktivitetit dhe terapisë fizike, injeksioneve intra-artikulare etj.

ARTIKUJ TE NGJASHEM: